Interi humbet ndaj Bolognas dhe shuan përfundimisht gjasat për titull në Serie A

Futboll 05 Korrik 2020 19:46

Interi bën harakiri ndaj Bolognas në San Siro dhe i thotë lamtumirë ëndrrës titull. Zikaltrit e Contes humbën në mënyrë të pabesueshme me rezultatin 1-2 një ndeshje lehtësisht të menaxhueshme të cilën e kryesonin që nga minuta e 22-të me golin e Romelu Lukaku. Një penallti e humbur nga Lautaro Martinez në minutën e 62-të i hoqi mundësinë ideale skuadrës së Contes për të dyfishuar shifrat dhe Bologna që në pjesën e dytë kishte goditur një shtyllë me Barrow dhe po luante shumë më mirë se Interi pavarsisht se kishte mbetur me 10 lojtarë pas daljes me të kuq të Roberto Sorianos në të 57-ën, arriti të befasonte vendasit në minutën e 74-t me lojtarin nga Gambia Juwara që i ardhur në fushë nga stoli mposhti Handanovic.

Goli i barazimit tronditi Interin dhe mbi të gjitha Bastonin që pak minuta më vonë mori kartonin e dytë të verdhë duke barazuar forcat në fushë. Kaq mjaftoi që Bologna të shikonte më tepër nga porta e Handanovic dhe me një kundërsulm, arriti të përmbyste shifrat me lojtarin tjetër nga Gambia më të mirin në fushë për kuqeblutë Musa Barrow në minutën e 80-të. Interi u përpoq të reagonte por humbi 2 raste të mira me Alexis Sanchez dhe tashmë e sheh veten -11 pikë nga Juvja e vendit të parë, dhe në të njëjtën kohë rrezikon vendin e 3-të që i kërcënohet nga Atalanta.

-->