Ish “bomberi” i Superligës: Drita e ka në “ADN” kurdisjen, edhe Prishtina përfundoi në kurdisje

Futboll 27 Korrik 2020 15:13

Edicioni 2019/20 i Superligës së Kosovës përfundoi me shumë probleme, dyshime për kurdisje e krijim të aleancave mes klubeve. Zyrtarë të klubeve, trajnerë e analistë të ndryshëm gjatë tërë sezonit kanë akuzuar njëri-tjetrin për marrëveshje apo kurdisje të ndeshjeve. Për këtë gjendje të futbollit tonë, është shprehur shumë i mllefosur ish sulmuesi i njohur i Superligës, Berat Hyseni.

Arbnor Luta

Hyseni në një intervistë për Insportin, ka shprehur mllefin e tij për gjendjen e Superligës dhe ka kritikuar ish klubin e tij, KF Prishtinën për kurdisje apo marrëveshje me klube për të lëshuar ndeshjen.

Ai thotë se nuk mund ta kuptojë se si një klub si Prishtina bie në një nivel të tillë, pasi sipas tij klubi nga kryeqyteti duhet të jetë shembull për klubet tjera. “Po unë mendoj se është një dobësi e njerëzve që pikën e parë udhëheqin klubet dhe në fillimin e sezonit i qesin ambiciet për titull, për dalje në garat evropiane për fitimin e kupës dhe gjatë fazës të kampionatit përfundojnë në kurdisjen ndeshjeve dhe marrëveshjeve”.

Ish sulmuesi i Prishtinës, beson se deri në fund të kampionatit “bardhekaltrit” kanë zhvilluar një sezon korrekt deri në momentin kur humbi betejën për titull të kampionit. “Prishtina mendoj që është për t’u gjykuar dhe për të analizuar. Deri në xhiron e fundit ka zhvilluar një kampionat pa hile dhe humbi betejën për titull. Por, pse duhet të ulet në nivelin e klubeve tjera në xhiron e fundit mendoj që është një  jo seriozitet dhe nuk respektohet kampionati këtë mënyrë. Kur tërë kohën ka gjykuar ekipet tjera në Superligë për  lojë jo korrekte. Po kjo ndoshta është se interesi i tyre kur është pa marrë parasysh Prishtinën apo Dritën, kushdo që të jetë, prapë se prapë do të futen në këtë lojëra që më së paku janë ndeshje të futbollit”.

Berat Hyseni, KF Trepça ’89

Hyseni ka qenë edhe më kritik ndaj kampionit të ri të Superligës, Dritës. Sipas tij, klubi gjilanas e ka në “ADN” kurdisjen e ndeshjeve dhe se nuk është kampion legjitim.

Për ish “bomberin” e elitës tonë, titullin e kampionit është dashur ta fitojë Ballkani apo Gjilani. “Drita kampion? Për mendimin tim nuk është kampion legjitim sepse gjatë tërë kampionatit klubet tjera e kanë gjykuar, e kanë sulmuar për kurdisje. Unë besoj që Drita e ka në “ADN” kurdisjen me ekipe edhe më të vogëla që janë në Superligë. Titullin do të duhej ta fitone Ballkani apo Gjilani, këto dy skuadra kanë zhvilluar lojën më të mirë, pa matematika me ekipet tjera. Gjilain ka pikë të barabarta me Dritën, 68 pikë, dhe është kampioni i vërtetë”.

Berat Hyseni kishte debutuar në Superligë si i ri me Flamurtarin, nga ku ra talenti i tij në sy dhe kaloi te Tirana.

Pas një vitit te Tirana, ai u kthye te Prishtina, ku ishte ndër lojtarët kryesorë në fitimin e titullit kampion.

Pas Prishtinës, vendosi edhe njëherë të kalojë në Shqipëri duke luajtur për Teutën e Durrësit.

Hyseni në Kosovë bëri karrierë edhe te Trepça, Trepça ’89, Hysi, Drenica, Ferizaj, Hajvalia, Llapi dhe Ballkani.

Berco’ njihej si sulmues i zonës, ku në karrierën e tij ka shënuar mbi 100 gola në Kampionat e Kupë në futbollin e Kosovës.

Berat Hyseni, KF Prishtina

Ai në disa ndeshje ishte ftuar edhe te Përfaqësuesja e Kosovës në kohën kur përzgjedhës ishte Edmond Rugova.

Të dielën (dje) përfundoi kampionati i Kosovës dhe nuk munguan akuzat e dyshimet për disa ndeshje.

Prishtina pësoi humbje në udhëtim në “Riza Lushta” nga Trepça ’89 me rezultat 2:1 dhe më këto tre pikë skuadra nga Mitrovica siguroi mbetjen në elitë edhe për një sezon tjetër.

Prishtina akuzohet nga tifozët e saj – a e “lëshoi” golin ndaj ‘89shit?

Prishtina akuzohet nga tifozët e saj – a e “lëshoi” golin ndaj ‘89shit? ?

Gepostet von Insporti am Sonntag, 26. Juli 2020

Madje, klubi më i trofshëm në vendin tonë u akuzua edhe nga tifozët e saj në faqen zyrtare, për mënyrën se si pësuan golin e dytë.

Prishtina e përfundoi sezonin në pozitën e katërt me 62 pikë dhe daljen në Ligën e Evropës do ta kërkojë përmes finales së Kupës së Kosovës ndaj Ballkanit. Finalja do të zhvillohet të mërkurën në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Drita e fitoi titullin e kampionit për herë të tretë në histori të klubit, të dytin brenda tre vjetëve. /Insporti.com/

-->