Ish-futbollistët e Romës i japin gishtin e mesëm Liverpool

Futboll 24 Prill 2018 14:59

Dy ish-futbollistët e Romës, legjenda të “Gialloross”-ëve, janë fotografuar në “Anfield” dje para stemës së Liverpool, duke treguar gishtin e mesëm.

Ndoshta kjo ka ndodhur si shaka, por një shaka e tillë nuk do t’iu pëlqejë fare tifozëve të “The Reds”, që llogariten si një prej tifozerive më të flaktë.

Bruno Conti dhe Roberto Pruzzo, ishin pjesë e skuadrës romake në finalen e vitit 1984 të Ligës së Kampionëve, që atëherë njihej si Kupa Evropiane, në të cilën Roma u mposht nga Liverpool pas ekzekutimit të penalltive.

“Ajo finale e Ligës së Kampionëve ende dhemb edhe pas 34 viteve”, ka thënë Pruzzo për “Premium Sport”.

“Kjo është e tëra që mendoj kur mendoj për Liverpool. Ajo finale do të na dhembë deri në pambarim. Por, kështu e ka futbolli”, deklaroi Roberto Pruzzo.

Roma do të mundohet ta sigurojë finalen e Champions League, në dy ndeshjet kundër Liverpool, të cilët po kalojnë në një formë fantastike, mirëpo romakët bënë të pamundurën një fazë më herët, duke e përmbysur rezultatin kundër Barcelonës dhe besojnë se mund ta kalojnë edhe ekipin e disponuar të Jurgen Klopp. /Insporti.com

-->