Dajaku: E pakuptueshme lënia në bankë e Florjan Smakiqit

Futboll 09 Korrik 2019 22:18

Ish-kapiteni i KF Drenicës, Taulant Dajaku ka thënë se Feronikeli mund ta fitonte ndeshjen në udhëtim ndaj skuadrës uellsiane TNS, nëqoftëse nuk do të gabonte në rastin e dy golave të pësuar.

Pas barazimit me rezultat 2-2 të Feronikelit ndaj TNS në xhiron e parë të kualifikueseve për Ligën e Kampionëve, i ftuar në rolin e analistit në RTK, Dajaku u shpreh se kampioni i Kosovës pësoi shumë lehtë të evituar.

“Në rast se nuk do të kishin rënë golat në një mënyrë pak naive, Feronikeli do ta fitonte ndeshjen. Mendoj se goli i parë është një penallti e panevojshme, ndërkaq tek rasti i golit të dytë është pak pa sens”, ka thënë Dajaku për RTK.

Ai po ashtu është deklaruar lidhur me lënien jashtë të portierit Florjan Smakiqi. Dajaku ka deklaruar se për të është e pakuptueshme se si mund të lihet në bankë numri një i përfaqësueses U-21 të Kosovës.

“Tek Feronikeli e kemi portierin e përfaqësueses U-21, Florjan Smakiqin, por ai këtu nuk luan. Është e pakuptueshme që nuk është në lojë Smakiqi; jo pse Troshupa nuk është shumë i gatshëm por e kemi parë edhe në ndeshjen e parë që ka pasur pak mangësi”, është shprehur ai. /Insporti.com