Ish-shefi i atletikës botërore gjendet fajtor për korrupsion

Sporte tjera 16 Shtator 2020 23:35

Një gjykatë në Francë e shpalli ish-shefin e Asociacionit Ndërkombëtar të Federatave të Atletikës, Lamine Diack, fajtor për korrupsion dhe e dënoi me katër vjet burgim – dy prej tyre u pezulluan.

Diack, 87 vjeç, nga Senegali, u gjobit edhe me 500,000 euro.

Ai ka të drejtë ta apelojë vendimin.

Diack u gjet fajtor për përfshirje në një skemë të ryshfetit, që u ka mundësuar atletëve rusë, të cilët ishin pezulluar për shkak të dopingut, t’i vazhdonin garat, përfshirë edhe Lojërat Olimpike në Londër, më 2012.

Prokurorët thanë se Diack ka kërkuar ryshfet në vlerë prej 3.45 milionë eurosh nga atletët e dyshuar për doping dhe i ka paguar zyrtarët e tjerë të Asociacionit Ndërkombëtar të Federatave të Atletikës për të ndihmuar në mbulimin e skandalit.

Gjatë gjykimit, ai i mohoi akuzat për korrupsion, por pranoi se ka ngadalësuar trajtimin e rasteve të dopingut në Rusi, në periudhën 2011-2013, për të shpëtuar një marrëveshje sponsorizimi me një bankë ruse dhe për të shmangur skandalin publik.

Dikur një nga figurat më me ndikim në sportin botëror, Diack ka qenë president i Asociacionit Ndërkombëtar të Federatave të Atletikës – tani Atletika Botërore – për 16 vjet.

Ai është zëvendësuar nga Lord Coe në gusht të vitit 2015.

Diack ka qenë në arrest shtëpiak në Paris qysh në nëntor të 2015-ës.

Djali i tij, Papa Massata Diack – i cili është ndaluar përjetësisht nga atletika në vitin 2016 – është dënuar me pesë vjet burgim dhe gjobë prej 1 milion eurosh për pjesëmarrjen e tij në skemë.

-->