Ish-trajneri serb i Prishtinës në analizën e tij, ofendon rëndë shqiptarët e Zvicrës (Video)

Futboll 22 Qershor 2018 12:22

Ndeshja Serbi – Zvicër, e cila përpos peshës që ka për të dy përfaqësueset sa i përket avancimit nga grupi E, llogaritet një përballje shumë e rëndësishme edhe për shkak të shqiptarëve që luajnë te zviceranët, dhe kjo ka krijuar një lloj presioni te dy kombëtaret.

Gjatë një analize të kësaj përballje në njërin prej televizioneve serbe, ish-trajneri serb i Prishtinës në vitet 1988-1989, Milan Zivadinoviç, ka ofenduar rëndë shqiptarët e Zvicrës, por jo vetëm ata, duke përmendur fjalën “Siptari”.

Në fakt, kjo fjalë e ish-selektorit të Jugosllavisë, i doli gabimisht, derisa ishte duke folur për shpejtësinë e lojtarëve të Zvicrës dhe në vend se të thoshte zviceranët, ai tha “siptari”, çka e përmirësoi menjëherë, por që normalisht nuk kaloi pa u vërejtur.

Më pas Zivadinoviç vazhdoi duke thënë se lojtarët e Zvicrës do të kenë motiv shtesë për këtë ndeshje, kjo për shkak se në radhët e tyre luajnë katër shqiptarë.

Humbjen e Serbisë ndaj Zvicrës, Milan Zivadinoviç e quajti një katastrofë të vërtetë, sepse Serbia do të duhej ta kërkonte avancimin nga grupi në ndeshjen e fundit kundër Brazilit, por po ashtu edhe për shkak se nuk do të përpihej lehtë humbja nga një kombëtare e cila në radhët e saj, futbollistët kryesor i ka shqiptar.

Me gjithë këtë tension, ish-trajneri 73 vjeçar, nuk mendon se në fushë do të ketë ndonjë konfrontim, pasi bëhet fjalë për lojtarë profesionist nga të dyja anët. /Insporti.com

 

-->