Ish-ylli i Arsenalit i ashpër me Xhakën: Ai duhet t’i pijë ilaçet

Futboll 29 Tetor 2019 17:20

Ish-lojtari i Arsenalit Charlie Nicholas e ka kritikuar ashpër kapitenin e “Topçinjve” për reagimin e tij të ashpër ndaj tifozëve dhe ka thënë se mesfushori 27-vjeçar s’ka të ardhshme në skuadrën e klubit londinez.

Mesfushori shqiptar i Zvicrës, i cili është zgjedhur kapiten i Arsenalit me gjithë kritikat e shumta së fundmi, u nxor nga loja e së dielës në minutën e 61-të nga trajneri Unai Emery, për t’i lënë vend Bukayo Sakas, pak pas golit të barazimit të vizitorëve.

Xhaka u përcoll jashtë fushës me fishkëllima të shumta të tifozëve të vet. Kjo bëri që ai ta humbë kontrollin dhe ta heqë shiritin e kapitenit dhunshëm, para se ta lëshonin nervat plotësisht.

Ai reagoi ndaj tifozëve duke i sharë: “Ik pi***uni” dhe duke e hedhur fanellën në tokë rrugës drejt tunelit për në zhveshtore.

Sjellja e tij, si kapiten i sapoemëruar, ka ngjallur reagime të mëdha në Angli. Shumë ish-yje të Arsenalit dhe tifozë të klubit londinez kanë mbetur të habitur me Xhakën, të cilin e kritikuan ashpër për reagimin tërbues.

“Ai është duke e përfaqësuar Arsenalin si kapiten dhe është e papranueshme të mendosh se ti je po aq i madh sa klubi. Sjellja e tij ishte e tmerrshme dhe unë nuk shoh të ardhme për të në klub. Ai duhet t’i pijë ilaçet. Do të habitesha nëse ai do të kthehej të luante për Arsenalin”, tha Nicholas.

“Është e dukshme që ai është lojtar që luan për ekipin, mirëpo veprimet e tij që i pamë të dielën ishin të papranueshme”.

“Xhaka mund të jetë kapiteni aktual, por s’mendoj se mund të jetë kapiten pas asaj që ndodhi në fundjavë. Fakti se ai nuk u kërkoi menjëherë falje tifozëve për sjelljen e vet të tregon se ai me siguri është i mërzitur ose zemëruar”, transmeton Express.

“Mund ta imagjinoj se ai është në pozitë të tmerrshme tani, por ai duhet të mësojë ta kontrollojë këtë zemërim. Kur je futbollist i nivelit më të lartë, ti duhet t’i përballosh kritikat”.

Xhaka pritet të rikthehet në stërvitje me ekipin të martën para ndeshjes së Arsenalit kundër Liverpoolit në rrethin e katërt të Carabao Cup të mërkurën.

Ndërkohë, Federata e Futbollit e Anglisë (FA) nuk do të marrë asnjë veprim ndaj Xhakës, pasi ai u pa duke i sharë dhe duke bërë me gjeste ndaj tifozëve të Arsenalit, të cilët e fishkëllyen.

Xhaka, i cili ka shkaktuar më shumë faulle (22) se çdo futbollist tjetër në Premierligë këtë sezon, është zëvendësuar tri herë në nëntë ndeshje deri tani në ligë.

Për momentin nuk dihet nëse Arsenali është duke menduar t’ia heqë shiritin e kapitenit mesfushorit shqiptar të Zvicrës.

I pyetur pas ndeshjes nëse Xhaka do të mbetet kapiten i Arsenalit, trajneri Unai Emery tha: “Nuk është tani koha të flitet për këtë”.

-->