Ish-ylli i Manchester United: Vuajta nga depresioni pas humbjes nga Barcelona në finale

Futboll 09 Tetor 2018 13:51

Ish-mesfushori i Manchester Unitedit, Michael Carrick, ka rrëfyer se ishte përballur me depresion pas disfatës kundër Barcelonës në ndeshjen e finales së Ligës së Kampionëve të vitit 2009.

“Djajtë e kuq” u mposhtën me rezultat 2-0 kundër Barcelona në Romë para nëntë viteve. Samuel Eto’o dhe Lionel Messi i kishin shënuar dy golat vendimtare kundër skuadrës së Sir Alex Fergusonit.

Një gabim i Carrickut i kishte dhuruar Barcelonës topin, të cilin katalonasit e kishin shfrytëzuar për ta shënuar golin e parë të ndeshjes. Ky gabim i kishte kushtuar rëndë Carrickut, i cili ka rrëfyer se ai kishte vuajtur nga depresioni pas kësaj disfate.

“Ishte momenti më i keq i karrierës sime për një diferencë shumë të madhe në krahasim me të tjerët, dhe me të vërtetë nuk e di pse. Unë mendova se e kisha zhgënjyer veten në ndeshjet më të rëndësishme të karrierës sime. Unë e kisha fituar Ligën e Kampionëve vitin e kaluar, por kjo gjë nuk kishte rëndësi”, ka thënë Carrick.

“Ndihesha në depresion. Isha me të vërtetë i mërzitur, mund ta imagjinoj se kështu është depresioni. E përshkruaj si depresion sepse nuk zgjati vetëm një ditë. Unë u ndjeva keq ose tmerrshëm për shumë kohë. Zakonisht kjo ndjenjë të kalon pas disa ndeshjeve, por një gjë e tillë nuk ndodhi këtë radhë. Ishte një ndjenjë e çuditshme”.

“Unë e mundoja veten për golin e Eto’os. E pyesja veten vazhdimisht: ‘Pse e bëra një gjë të tillë?’, dhe pastaj depresioni vetëm sa u rrit për shkak të kësaj. E pata një vit shumë të vështirë”.

37-vjeçari, i cili ishte lojtar i Manchester Unitedit për 12 vite dhe tani është në stafin e trajnerëve në Jose Mourinhos, e ka pranuar se depresioni nuk i ishte larguar deri pas ndeshjes kundër Chelseat në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve në vitin 2011.