Islami: Më i gatshëm se kurrë, Hoxhën do e mbaj në “xhep”

Futboll 03 Qershor 2020 10:05

Përparim Islami është i gatshëm për super ndeshjen me Ballkanin. Islami për Insportin është shprehur që fokusi i tij është vetëm për këtë ndeshje, pasi është ndaj liderit të Superligës dhe se synojnë daljen përsëri në Evropë.

Mbrojtës i krahut të djathtë i “Niklit” deklaroi se do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi do të jetë e para pas një pauze të gjatë por se ndihet mirë fizikisht. “Ndihem shumë mirë në aspektin fizik, jam gati për këtë ndeshje. Gjatë vetizolimit kam stërvitur po thuajse çdo ditë, po ashtu edhe gjendja e skuadrës është shumë e mirë, kemi stërvitur fortë në ditët e fundit”.

Islami është i mahnitur me punën që kanë bërë në ditët e fundit në stërvitje, përkundër kohës së shkurtër për t’u përgatitur për këtë ndeshje ndoshta edhe vendimtare për fatin e sezonit të kampionit në fuqi. “Kohë të mjaftueshme për stërvitje nuk kemi pasur, megjithatë kemi arritur që gjatë këtyre ditëve të përgatitemi fortë si për ndeshjen me Ballkanin, por edhe për ndeshjet e Superligës. Fal Zotit nuk kemi probleme me lëndimi, shpresoj të vazhdoj kështu”.

Mbrojtësi, 25 vjeçar, sot do të ketë punë më shumë në krahun e tij, pasi përballë do ta ketë talentin e Ballkanit, Arbër Hoxha. Hoxha është ndër sulmuesit më të mirë këtë sezon, por Islami është i bindur se do ta mbajë “në xhep”. “Arbër Hoxha është një futbollist shumë i mirë, ka zhvilluar disa ndeshje të mira këtë sezon. Por, unë i di pikat e dobëta të tij dhe të fortat, do ta ndaloj sot, besoj se do të zhvilloj ndeshje të fortë ndaj tij”.

Në fund, ai deklaroi se nuk ka frikë nga infektimi pas bërjes së testeve dhe se është i foksuar vetëm në ndeshje.

Feronikeli sot do të përballet me Ballkanin në gjysmëfinale të Digjitalb Kupës së Kosovës, në Therandë me fillim të orës 16:00.

Islami këtë sezon ka zhvilluar 22 paraqitje për Feronikelin në Superligë, të gjitha si startues. Ndërsa në Digjitalb Kupën e Kosovës ka zhvilluar tri paraqitje, duke dhuruar një asistim.

Islami me Feronikeli sezonin e kaluar ka fituar të gjithë trofetë e mundshëm në Kosovë. /Insporti.com/

-->