Ismet Ferati e parashikon në këtë mënyrë ecurinë e Kosovës në parakualifikimet për Botërorin 2023

Kombëtarja 25 Shkurt 2020 20:48

Përfaqësuesja e Kosovës e ka nisur në mënyrën më të mirë kampanjën parakualifikuese për Kampionatin Botëror të basketbollit, që do të mbahet në vitin 2023. Dardanët në dy ndeshjet e para kanë shënuar po aq fitore, duke mposhtur Islandën në Prishtinë me rezultat 80:78 dhe më pas Luksemburgun si mysafire me shifrat 84:80.

Ish-basketbollisti i njohur, Ismet Ferati, e vlerëson shumë pozitive paraqitjen e Kosovës në këto dy ndeshje. “Janë dy fitore të rëndësishme për Kosovën, pasi nisma e mirë është edhe motiv shtesë për ndeshjet e ardhshme. Në të dyja ndeshjet, basketbollistët tanë e dhanë maksimumin dhe në fund iu gëzuan fitoreve”, ka thënë Ferati për Insporti.com.

Ai shprehet optimist se Kosova mund ta kalojë këtë sfidë dhe të futet në fazën e grupeve për kualifikim në Kupën e Botës.
“Do të jetë shumë vështirë, por shpresoj që mund të kalojmë këtë fazë. Mendoj se Islanda do të renditet e para, ndërsa ne dhe Sllovakia do të ‘luftojmë’ për pozitën e dytë. Është mirë që deri në ndeshjet me Sllovakinë, Lis Shoshi do të jetë i gatshëm dhe do të jetë një plus i madh për Përfaqësuesen e Kosovës”, ka shtuar Ferati.

Aktualisht, Kosova është e para në Grupin B me katër pikë nga dy ndeshje./Insporti/

-->