Ismet Munishi konfirmon interesimin për futbollistin e Feronikelit

Futboll 09 Dhjetor 2019 16:05

Ballkani përfundoi sezonin vjeshtor në pozitën e parë të IPKO Superligës së Kosovës me 34 pikë.

Klubi nga Theranda qysh tani ka filluar të mendojë për pjesën e dytë të sezonit duke kërkuar të bëjë përforcime në afatin kalimtar të janarit, shkruan Insporti.com.

Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi për Insportin ka konfirmuar interesimin për mbrojtësin e Feronikelit, Arbër Prekazi dhe së bashku me presidentin e klubit Arsim Kabashi, do të përpilojnë një listë të futbollistëve që mund të transferohen në Therandë në afatin kalimtar të janarit. “Po, ne jemi të interesuar për shërbimet e Arbër Prekazit, ai është në listën e Ballkanit. Për momentin ende nuk ka asgjë, pasi presidenti i klubit është jashtë vendit dhe sapo të rikthehet do të ulemi dhe të bisedojmë për transferimet e mundshme”, ka thënë Munishi.

 

Mbrojtës me përvojë të madhe në futbollin e Kosovës, Prekazi mund të jetë një transferim i qëlluar për skuadrën e Ballkanit.

Ballkani këtë sezon ka pranuar 13 gola duke qenë skuadra e katërt me mbrojtjen më të fortë në Superligë si dhe vetëm tri humbje.

Kampioni i Kosovës, Feronikeli gjatë ditës njoftoi për largimin e disa prej futbollistëve dhe ndër ta është edhe Prekazi.

Munishi dhe Prekazi në të kaluarën kanë punuar në klubin e Vushtrrisë. /Insporti.com/

 

 

-->