Istogu vulos dominimin këtë edicion në hendbollin e femrave

Superliga 25 Maj 2019 20:04

Istogu është kampione e këtij edicioni të hendbollit në konkurrencën e femrave.

Istogu titullin e parë në histori të klubit e ka siguruar të shtunën në palestrën “Jeton Tërstena – Tota” në Vushtrri. Istogu e mposhti Vushtrrinë vendëse me rezultat 28:26, në një ndeshje të fortë e dramatike.

Për Istogun ishte kjo fitorja e dytë në finale të play off-it dhe kështu Istogut iu dorëzua Kupa e kampionit.

Vushtrriaset u mbajtën deri në fund, ndërsa pas pjesës së parë ishin në epërsi me rezultat 13:12.

Por në minutat e fundit vendaset dështuan në disa aksione e në anën tjetër realizuan lojtaret istogase, për të shënuar fitoren përfundimtare të edicionit.

Kameri me 8 gola ishte më efikasja te Istogu, ndërsa 7 i realizoi S. Ujkiq.

U dallua edhe portierja A. Shehdadi me shumë pritje vendimtare.

Te Vushtrria prapë në nivel të lartë ishte portierja Nj. Kelmendi, ndërsa më efikasja ishte A. Kelmendi me 8 gola.

Istogu javë më parë fitoi edhe Kupën e Kosovës, ndërsa të shtunën është konfirmuar si skuadra më e mirë e këtij edicioni në hendbollin kosovar.

Skuadra istogase kishte fituar kupën edhe para një viti, ndërsa tani i ka dhënë fund edhe pritjes për titull të kampionit./Insporti