Isufi flet për meçin e karrierës, tregon si u aranzhua dueli me Saundersin

Boks 26 Shkurt 2019 15:35

Më 13 prill do të ngjitet në ring për meçin më të madh të karrierës. Shefat Isufi, që për titullin e WBO në kategorinë super të mesme do të duelojë me boksierin britanik Billy Joe Saunders, është i bindur se mund t’ia shkaktojë atij humbjen e parë të karrierës.

Boksieri shqiptar nga Tërnoci i Luginës, deri tani ka 27 fitore, 3 humbje dhe 2 barazime në karrierë, shkruan Insporti

Isufi, 29-vjeçar, ka thënë se për këtë ditë ka punuar një kohë të gjatë. Një dekadë i është dashur Isufit që të punojë për të luftuar për titullin e WBO.

Për titullin vakant të WBO në kategorinë super të mesme, boksieri shqiptar do të ngjitet në ring në ‘Wembley Arena’, që zë më shumë se 12 mijë spektatorë.


Isufi në karrierë i ka 27 fitore, 3 humbje e dy barazime. Ndaj Saundersit synon që ta çojë në 28 numrin e fitoreve duke e fituar titullin e botës

Isufi, i lindur në Tërnoc të Madh të Bujanovcit, por që jeton në Mynih të Gjermanisë, meçin e shumëpritur ndaj Saundersit do ta zhvillojë më datën 13 prill.

Boksieri shqiptar nuk pritet që ta ketë aspak të lehtë, kur merren parasysh rekordet e kundërshtarit të tij. Saunders, po ashtu 29-vjeçar, ka bilanc 27-0-0. Por, Isufi shpreh optimizëm se mund të jetë i pari që i shkakton humbje atij.

Insporti ka realizuar një intervistë me Isufin rreth duelit më të rëndësishëm të karrierës së tij, që do të ketë vlerën e titullit të botës në WBO.

Ai zbulon se si erdhi deri te aranzhimi i këtij dueli dhe kontaktet që pati me menaxherin dhe promotorin britanik të boksit, Frank Warren.

Ndër të tjera, Isufi tregoi edhe nëse do të ketë presion shtesë, duke e ditur se nuk ka pasur ndonjë boksier shqiptar kampion bote.

Isufi ka treguar se në fakt ishte pikërisht promotori Warren, ai i cili i ka kërkuar që të ndeshet me Billy Joe Saunders.

Këtë ofertë Isufi e ka pranuar dhe është ndjerë krenar që i është dhënë rasti të duelojë për titullin e botës.

Saundersin, Isufi e cilëson si kundërshtar të kompletuar, por jo edhe të pamposhtshëm.

Si erdhi deri tek aranzhimi i luftës dhe kontaktet me Frank Warren?

Ne kemi punuar rreth 10 vite për këtë ditë, unë jam i rankuar në pozitën e parë në ranglistën e WBO dhe jam sfidues për titullin e WBO të botës.

Frank Warren është ai i cili me ka kërkuar që unë të ndeshem me boksierin e tij, unë kam pranuar këtë ofertë dhe ndjehem shumë krenar që më është dhënë rasti ta sfidoj për titull.

Sa e njeh kundërshtarin?

Për kundërshtarin e di se është një boksier i kompletuar dhe deri tani është i pamposhtur, por unë do të bëj punën time, do të përgatitem deri në maksimum që t’ia shkaktoj humbjen e parë.


Billy Joe Saunders, kundërshtari i Isufit në ‘Wembley Arena’ për titullin e botës. 13 prej 27 fitoreve të tij i ka shënuar me nokaut

Saunders, nga 27 fitore gjithsej në karrierë, me nokaut i ka fituar 48% prej tyre. Nga këto fitore, 14 i ka shënuar me vendim të gjyqtarëve.

Për dallim nga Saunders që godet me të majtën, Isufi është djathtak. Por, ata të dy kanë gjatësi të njëjtë, 180 cm.

Isufi ka treguar nëse do të ketë përgatitje ndryshe, për faktin se gjuajtjen më të fortë, Saunders do ta ketë me të majtën.

Duke e ditur që Saunders është majtak dhe tërë karrierën ka boksuar një ose dy kategori të peshave me ulët, si do të përgatitesh për meç?

Unë do të bëj përgatitjen për Saunders ashtu siç kam bërë edhe për boksierët tjerë, çdo kundërshtar i imi do të ketë respekt nga unë por frikë nuk do të kem nga asnjëri.

Duke e ditur që nuk ka pasur shqiptar kampion bote, a është kjo presion dhe përgjegjësi shtesë?

Jo, kjo nuk do të më pengojë aspak, unë do ta marr këtë ndeshje me shumë qetësi dhe nuk dua që t’i bëj vetes stres, por natyrisht që do të luftoj për ta fituar këtë titull dhe të bëhem kampioni i parë shqiptar.

Me cilin trajner punon, kush është tjetër në personel, cili është plani i përgatitjeve?

Përgatitjet jam duke i bërë me një trajner të njohur dhe me përvojë të madhe në këtë sport, Alfred Segerer dhe kam besim se do t’ia dalim së bashku, përfundon Shefat Isufi. /Insporti.com/