Italia “mbretëresha” e re e volejbollit europian, mposhtin Serbinë në finale

Volejboll 04 Shtator 2021 23:38

Italia është shpallur kampione e Europës në Volejboll për femra. Skuadra “axurre” ka mposhtur 3-1 Serbinë në finalen e madhe të Beogradit, duke fituar me përmbysje.

Emocione dhe spektakël kanë shijuar shikuesit gjatë këtij takimi. Serbet vendase fituan setin e parë 26-24, por italianet reaguan më se miri, duke fituar 3 setet pasardhëse (25-22, 25-19, 25-11).

Një sukses i merituar i Italisë, që në 9 ndeshje të zhvilluara në këtë kampionat europian koleksionoi po aq fitore. Volejbolli i femrave ka tashmë një mbretëreshë të re.

Serbia nuk arriti të fitonte titullin për të tretin edicion radhazi, ndonëse luante para publikut të vet. Shijen e humbjes në këtë event e provuan vetëm përballë Italisë, por tashmë duhet të kënaqen me medaljen e argjendtë.

Finalja e vogël e Kampionatit Europian të Volejbollit u fitua nga Turqia, e cila mposhti 3-0 Holandën.

-->