Ja shuma e jashtëzakonshme që shtetet fitojnë vetëm për pjesëmarrje në Kampionat Evropian

Kombëtarja 11 Qershor 2021 17:57

Itali-Turqi është dueli hapës i EURO 2020, një kompeticion që prodhon shumë para. UEFA, pas përllogaritjeve të bëra, pret të arkëtojë 2 miliard euro në total, një shifër rekord që regjistrohet në një periudhë të vështirë.

Pjesë më e madhe sigurisht shkon për kombëtaret që marrin pjesë, ndërsa 850 milion euro mendohet të jetë fitimi. Sigurisht kjo shumë i shërben UEFA-s për të financuar projekte të ndryshme për zhvillimin e futbollit.

Po federatat e ekipeve pjesëmarrëse, sa përfitojnë? 24 federatat vetëm për praninë në fazën finale përfitojnë 9.5 milion euro. Pastaj, për fitoret në ndeshjet në grupe, çdo federatë merr 1 milion euro për fitore, kurse për barazim 500 mijë euro.

Kalimi i grupit u sjell federatave edhe 1.5 milion euro, ndërsa çerekfinalja 2.5 milion. Për arritjen në gjysmëfinale 4 federatat që përfaqësohen nga kombëtaret e tyre shtojnë në llogari edhe nga 4 milion euro, kurse finalistet nga 5 milion euro. Fituesi merr 30 milion euro nga UEFA.

-->