Japonezët me sjelljet e tyre shndërrohen në temë të Botërorit (Foto)

Futboll 03 Korrik 2018 11:35

Përfaqësuesja e Japonisë mbrëmë në ndeshjen e 1/8-ës kundër Belgjikës, u eliminua nga Kupa e Botës “Rusia 2018”, edhe pse për pak sa nuk shkaktoi edhe një befasi tjetër.

Japonezët me të filluar pjesa e dytë, kaluan në epërsi, e më pas dyfishuan edhe epërsinë, gjë që shkaktoi befasi dhe një pjesë e madhe mendonin se pas një numri të kombëtareve të fuqishme që u eliminuan, radhën do ta kishte edhe Belgjika.

Belgët nuk u dorëzuan deri në fund, dhe siguruan kualifikimin në çerekfinale, ku do të ndeshen me Brazilin.

Japonezët bënë një paraqitje shumë dinjitoze në Botëror, ashtu si edhe tifozët e tyre, të cilët treguan se janë të qytetëruar duke pastruar shkallët e stadiumit pas çdo ndeshjeje, diçka e pazakontë në stadiumet evropiane.

Por, duket se këtë zakon nuk e kanë vetëm tifozët, por edhe futbollistët japonezë. Edhe pse të trishtuar për humbjen në fund, lojtarët dhe stafi teknik e lanë dhomën e zhveshjes të pastër para se të largoheshin nga aty.

Aq mirë e kishin pastruar, sa fotoja duket sikur është bërë përpara se të niste ndeshja, e përveç kësaj, kombëtarja japoneze kishte lënë edhe një letër ku shkruhej “Falemnderit” në rusisht.

Me t’u publikuar pamjet e zhveshtores së Japonisë, ato u bënë një hit i madh në internet, kurse përfaqësuesja e Japonisë mori komente shumë pozitive, bashkë me tifozët e saj. /Insporti.com

 

 

-->