Jashanica: Refuzova klubet e Superligës, jam besnik ndaj Skënderbeut

Futboll 07 Mars 2020 10:57

Vuajtjet e Bajram Jashanicës përfunduan fundjavën e kaluar. Mbrojtësi shqiptar i Skënderbeut, Bajram Jashanica është kthyer pas dënimit dy vjeçar. FIFA e kishte dënuar me dy vite mos lojë për shkak të përdorimit të substancave të ndaluara dhe ky dënim erdhi në momentet më të mira të karrierës së tij. Megjithatë, ashtu siç është në fushë i fortë, ai e ka kaluar këtë sfidë dhe është më i gatshëm si asnjëherë më parë, shkruan Insporti.com.

Mbrojtësi 29 vjeçar fundjavën e kaluar bëri rikthimin e tij në futbollin shqiptar dhe atë në mënyrën më të mirë, duke mbajt shiritin e kapitenit, të cilin ia dhuroi Bruno Dita në ndeshjen kundër Vllaznisë. “Është ndjenjë shumë e mirë, me pa durim e kam pritur të rikthehem aty ku e kam lanë. Po, shpresoj shumë që të arrijmë akoma më shumë. Po ishte një ndjenjë shumë e mirë pasi kam kaluar 6-7 vite këtu dhe erdhi një moment që të jem kapiten i ekipit është një motiv shtesë për mua dhe të vazhdoj akoma më shumë të punoj nuk është e thjeshtë ta mbash shiritin e kapitenit duhet përgjegjësi ta mbash atë dhe jam i lumtur dhe kam një përvojë ta mbajë”.

Jashanica shtoi se gjatë periudhës së dënimit, nuk është ndalur për asnjë moment, duke punuar që të kthehet fuqishëm. Për Insportin, ai ka treguar se ofertat nuk kanë munguar nga Superliga e Kosovës, por që ka vendosur t’i qëndroj besnik klubit të Skënderbeut, për shkak të gjendjes në të cilën gjendet. “Gjatë kësaj periudhe dy vjeçare që e thashë dhe më lartë që nuk dua as ta kujtoj. Normal kam bërë stërvitje  dhe pastaj stërvitje individuale, palestër dhe nga 4 janari 2020 jam fokusuar vetëm tek stërvitja me grupin dhe të arrij një formë optimale dhe besoj ja kam arrit shumë mirë. Po ka pas disa oferta si në Kosovë nga disa ekipe të Superligës, Maqedoni dhe këtu në Shqipëri por vendosa të jem pjesë e Skënderbeut deri në fund të sezonit pasi e kam parë edhe pak të ndershme që të jem këtu edhe në këto momente që po ndodhet klubi deri në qershor ka dhe gjyqin e fundit dhe pastaj do shikojmë. Shpresoj që të jetë një vendim pozitiv për ne”.

Jashanica përsëri në ndeshjen e tij të dytë nga rikthimi mbajti shritin e kapitenit dhe shënoi gol në fitoren 2:0 të Skënderbeut kundër Luftëtarit.

Ish mbrojtësi i Hysit pritet të jetë lider në skuadrën e trajnerit Ilir Daja në vazhdimësin e kampionatit.

Skënderbeu pas 25 ndeshje të zhvilluar, renditet në pozitën e gjashtë me 38 pikë. /Insporti.com/

“Ringjallja” e Bajram Jashanicës – ofertat, dënimi, vuajtjet dhe Përfaqësuesja e Kosovës

 

-->