Javë e ‘çmendur’ në Superligë – kjo është renditja tabelare pas xhiros së gjashtë

Futboll 23 Shtator 2019 17:49

Është mbyllur xhiroja e gjashtë e IPKO Superligës së Kosovës me përfundimin e tri ndeshjeve të cilat u zhvilluan sot, shkruan Insporti.com.

Xhiroja e gjashtë filloi ditën e diele me tri sfida: Dukagjini – Feronikeli (0:2), Drita – Trepça 89’ (1:1) dhe Prishtina – SC Gjilani (2:1).

Kampioni aktual KF Feronikeli nuk gaboi si mysafirë i skuadrës së fundit në tabelë, Dukagjinit duke arritur një fitore me shumë vështirësi me golat e Kastriot Rexhës dhe Mevlan Zekës. Me këtë fitore “Nikli” rrëmbeu pozitën e parë me 12 pikë.

Pretendenti tjetër për titull të kampionit, Drita bëri një hap prapa duke gabuar në shtëpi me 89shin. “Intelektualët”  u ndalën në shtëpinë e tyre me barazim 1:1. Madje, golin e barazimit e arritën në ‘frymën e fundit’ të ndeshjes nëpërmjet sulmuesit Gilberto Fortunato. Ndërsa, golin “Minatorëve” sulmuesi i talentuar Arb Manaj.

Drita renditen në pozitën e tretë me 11 pikë, ndësra 89-shi në të nëntën me gjashtë pikë.

Fitore tejet të rëndësishme ka arritur edhe klubi më i trofeshëm në Kosovë, Prishtina para shikuesve të vetë në stadiumin “Fadil Vokrri” në derbin e kësaj xhiro ndaj SC Gjilanit.

Këtë ndeshje Prishtina e nisi me kryetrajner të ri pas largimit të Bylbyl Sokolit. Në bankinën e bardhekaltërve tashmë është ulur legjenda e klubit, Armend Dalllku. Dallku debutoi me fitore duke e mposhtur Gjilanin me rezultat 2:1. Golat e fitores i shënuan Ergyn Ahmeti dhe Alban Shilova. Golin për mysafirët e shënoi mesfushori Bedri Greca.

Me këtë tre pikësh Prishtina largohet nga zona e rrezikshme, duke u renditur në pozitën e shtatë me shtatë pikë me një ndeshje më pak të zhvilluar. Për Gjilanin, kjo është humbja e dytë në këtë kampionat dhe renditet në pozitën e dytë me 12 pikë.

Sot janë zhvilluar edhe tri ndeshjet e kësaj xhiro. Flamurtari u mposht në shtëpi nga Llapi me rezultat bindës 1:5. Golat për fitoren e llapjanëve i shënuan Mërgim Pefqeli, Blendi Memaj (2x), Mentor Zhdrella dhe futbollisti i Flamurtarit, Granchov i cili shënoi autogol.

Golin e nderit për vendasit e shënoi mbrojtësi bullgar, Angel Granchov, i cili në këtë ndeshje shënoi dy gola.

Llapi pas kësaj fitore renditet në pozitën e katërt me 11 pikë. Flamurtari në pozitën e tetë me tetë pikë.

Ballkani është këndellur pas humbjes në derbi në mesjavë me Gjilanin, duke e mposhtur me rezultat të thellë skuadrës e Vushtrrisë.

Skuadra nga Suhareka fitoi 5:2 si vendas duke vazhduar me futboll të bukur para shikuesve të vet. Në këtë ndeshje Ballkani ishte pa kryetrajnerin Ismet Munishi, i cili ishte ndëshkuar me karton të kuq ndaj Gjilanit. Golat për fitoren e Ballkanit i shënuan kapiteni Visar Berisha (2x), Arbër Hoxha (2x) dhe Ermal Krasniqi, ndërsa për mysafirët Fazliu dhe Mattheus.

Ballkani renditet në pozitën e pestë me 11 pikë, ndërsa Vushtrria  në të para fundit me pesë pikë.

Ferizaj është mposhtur në shtëpi nga Drenica me rezultat minimal 0:1. Golin e fitores për Drenicën e shënoi Arbios Thaqi duke ia siguruar tre pikë tejet të rëndësishme skuadrës së tij.

Skuadra e drejtuar nga Bekim Isufi me këtë humbje renditet në pozitën e dhjetë me gjashtë pikë. Drenica në gjashtën me tetë pikë. /Insporti.com/

 

-->