Jep dorëheqje drejtori i Ligës Unike

Basketboll 18 Nëntor 2021 15:20

Në ditën e akuzave të presidentit të Teutës, Arqile Gorea, në drejtim të Ligës Unike, Dren Zatriqi, drejtori i deritanishëm i ligës, ka dhënë dorëheqjen nga detyra e tij në aktivitetin mbarëkombëtar të basketbollit.

Kjo mund të jetë edhe thjesht një koincidencë, pasi Zatriqi nuk ka dhënë asnjë arsye për këtë largim të mistershëm, të cilin e ka njoftuar në rrjetet sociale, ku shkruan: “Me Ligën Unike u njoftuam në një periudhë të papërshtatshme. Pa dashjen time e më së paku të saj, që në fillim u sfiduam me armikun më të pamëshirshëm, pandeminë! Megjithatë, si shumë barriera të tjera të cilat na janë imponuar ndër shekuj padrejtësisht, ne e sfiduam edhe atë.

Nuk u ndalëm asnjëherë dhe e arritëm qëllimin tonë që të ofrojmë basketboll në një ligë të përbashkët, e cila sot më nuk është vetëm ëndërr, mirëpo një realitet i bukur për shumë gjenerata të reja. Ky muaj do të shënojë fundin e angazhimit tim në Ligën Unike, mirëpo asnjëherë përfundimin e dashurisë të pashtershme për këtë projekt dhe basketbollin.

Përherë mirënjohës ndaj krerëve të Federatave Nacionale (FSHB & FBK-themelues të Ligës Unike) dhe bordit drejtues për mundësinë dhe besimin e dhënë, skuadrave pjesëmarrëse për bashkëpunim, zyrtarëve të ndeshjeve për korrektësi, partnerëve dhe mediave për mbështetje, stafit që më kanë duruar, si dhe të gjithë atyre që ishin dhe janë mbështetës të rrugëtimit të Ligës Unike. Juaji, Dren Zatriqi”

-->