Jeta e një futbollisti të huaj në Kosovë, nga puna në autolarje deri tek vjedhja e parave – Tiagouo Kone rrëfen historinë e tij

Futboll 12 Janar 2022 14:40

Në futbollin kosovar çdo ditë e më shumë po rritet numri i futbollistëve të huaj, dhe të njëjtit çdo ditë po përballen me jetën e vështirë këtu. E veçmas në rastet e atilla kur u mungon mbështetja nga klubi.

Një gjë të tillë e ka përjetuar edhe futbollisti nga Bregu i Fildishtë, Tiagouo Kone, i cili për Insportin e ka rrëfyer historinë e tij në Kosovë.

“Erdha nga Bregu i Fildishtë për të luajtur tek KF Vjosa. Ata financuan udhëtimin tim por ishte e vështirë për mua për ta kuptuar trajnerin në Gjuhën Shqipe. Dhe për t’u përshtatur kërkon kohë dhe mbështetje morale e të gjithë skuadrës por kjo nuk ndodhi. Dhe, kontrata ime përfundoi pas 2 muajve” – tha fillimisht Kone, i cli aktualisht gjendet në Bregun e Fildishtë.

Përndryshe, e doja klubin por isha i shokuar kur kontrata ime përfundoi ashtu. Pata shumë propozime nga klubet e tjera, por rroga ishte e keqe dhe viza me përfundoi. Gjithashtu që të mos kisha probleme vendosa të shkojë në shtëpinë e një zotëriu në Shtime që quhet Frauk, i cili më ka ndihmua shumë. Më dha ushqim, para për ta paguar qiranë dhe madje më ofroi edhe një punë si pastrues makinash. Por u mërzita shumë kur shihja shokët e skuadrës të dilnin nga stërvitjet derisa unë punoja në një lavazh” – vazhdoi tutje ai.

Përveç këtyre vështirësive me të cilat u përball Kone, atij iu vodhën edhe një shumë parash nga një maqedonas, i cili i tha se do ta pajiste me vizë.  

Është një zotëri në Maqedoni që më ka vjedhur 200 euro. Më tha se do të më jepte një vizë për Maqedoni që të mund të shkoj dhe të luaj atje” – zbuloi Kone.

Por, përkundër të gjitha vështirësive të kaluara, futbollisti ivorian tha se e do vendin e Kosovës, dhe se nëse ndonjëherë do t’i jipej mundësia të luante këtu, do ta bënte.

E dua Kosovën edhe nëse do të kem mundësi sot të shkojë dhe të luajë në Kosovë do të lërë gjithçka që kam kaluar për të qenë pjesë e historisë së një futbollisti. Ishte një përvojë për mua” – përfundoi ai.

Ndryshe, Tiagouo Kone iu bashkua skuadrës së Ligës së Dytë të Kosovës, KF Vjosës në qershor të vitit 2020.

/Insporti.com

-->