Jeta luksoze e Klodian Duros si trajner i Feronikelit

Futboll 29 Prill 2021 23:51

Klodian Duro vazhdon të mbetet në krye të skuadrës së Feronikelit, pavarësisht presionit të madh për dorëheqje, madje edhe nga vetë disa nga zyrtarët e klubit.

43 vjeçari nga Tirana është i bindur në “misionin” e tij në klubin nga Drenasi, teksa kërkon që të shpëtojë edicionin për të cilin kishte ardhur ta kurorëzonte me të paktën një trofe atë Kupës dhe daljen në Evropë.

“Nuk e kam ndërmend të dorëzohem. Ne do të vazhdojmë dhe jam i sigurt që Feronikeli do të mbetet në Superligë” deklaroi Duro pas humbjes nga Arbëria, duke e bërë të qartë se nuk dëshiron të jap dorëheqje.

Në anën tjetër, Feronikeli e ka të qartë që shkarkimi i tij do t’i kushtonte klubit afro 72 mijë euro dëmshpërblim.

Klodian Duro ka kontrat me klubin e Feronikelit edhe një vit e gjysmë, teksa përveç pagës mujore, e cila kap shifrën e 4 mijë eurove neto, ai gjithashtu përfiton edhe disa bonuse të tjera.

Klubi ia paguan gjithashtu edhe një veturë luksoze, të cilën e ka me qera dhe po ashtu akomodimin në njërin nga hotelet më të njohura në Prishtinë.

Për këto të mira, nga buxheti i Feronikelit shpenzohen afro 6 mijë euro në muaj vetëm për Duron.

Drejtuesit e klubit janë të vendosur që ta mbajnë Duron deri në mbyllje të kampionatit, pasi që tashmë kanë mbetur edhe pesë xhiro deri në fund dhe nuk planifikojnë ndryshime në shtabin teknik. /Insporti.com/

-->