Josa: Jam i dëshpëruar, nuk kam koment…

Futboll 18 Shkurt 2019 16:02

Prishtina ka bërë një hap prapa në garën për titull, pasi ka humbur derbin e kryeqytetit ndaj Flamurtarit 2:0.

Skuadra e drejtuar nga Mirel Josa, ka befasuar të gjithë me paraqitjen e sotme, duke mos treguar asgjë nga loja e tyre.

Kjo humbje është e dyta me radhë, pas asaj të javë së kaluar në DigitALb Kupa e Kosovës ndaj Trepça ’89.

“Me Trepçën krijuam më shumë, ndërsa sot nuk krijuam shumë raste për shënim. Me largimin nga loja të Quansah, lojtarët menduan se do të kenë më të lehtë, jam shumë i dëshpëruar me këtë humbje, duke ditur se kemi luajtur në stadiumin tonë, është dashur të reagojmë më mirë në pjesën e dytën”, ka deklaruar Josa për “SupeSport”, transmeton Insporti.com.

Josa është shprehur i dëshpëruar me futbollistët e tij dhe se nuk janë treguar të vëmendshëm.

“Unë them që lojtarët nuk u treguan të vëmenshëm në zhvillimin e lojës kolektive, më shumë ishte lojë me  veprime individuale, është dashur të fusim në presion kundërshtarin,  me pasime të shkurtëra dhe të shpejta, gjë që nuk e bëmë”, ka shtuar Josa.

Trajneri shqiptar nuk ka dashur të komentojë rastin e Makendas, i cili kërkoi penallti, por që u ndëshkua me karton të verdhë nga gjyqtari i ndeshjes, Mervan Bejtullahu.

“Nuk kam koment për atë moment, nuk jam për të komentuar këto gjërash. Ndryshime për mënyrën e lojës do të ketë, sepse nëse ndërtojmë këtë lojë, nuk do të kemi rezultate pozitive”, ka përfunduar Mirel Josa.

-->