Joshua e kërkon revanshin ndaj Ruizit, ky i fundit befason me përgjigjen

Boks 02 Qershor 2019 17:33

Anthony Joshua ka kërkuar revanshin nga boksieri meksikan, Andy Ruiz Jr, por ky i fundit nuk është duke menduar për të.

Boksieri britanik e ka pësuar humbjen e parë në karrierë dhe atë duke u rrëzuar katër herë nga kundërshtari i tij, Ruiz Jr, i cili fitoi në raundin e shtatë me nokaut teknik.

Kështu, Joshua ka humbur luftën për unifikimin e titujve të peshave të rënda në IBF, WBA dhe WBO, rripa të cilët tani do t’i mbajë meksikani Ruiz Jr.

Megjithatë, britaniku shpreson që Ruiz të mbajë fjalën dhe t’i përmbahet kontratës për të zhvilluar revanshin.

“Tani do të shohim se sa larg do të shkoj ai boksier me titujt kampionë bote. I uroj suksese, por ia kujtoj që ai ka një revansh për të bërë me mua. Kjo është pjesë e kontratës dhe historia do të vazhdojë”, ka thënë Joshua pas humbjes.

Por, meksikani Ruiz Jr. nuk duket shumë i bindur për këtë dhe një herë dëshiron të shoh edhe tjera mundësi për të ardhmen.

“Tani unë jam kampion bote dhe do të shoh edhe mundësi tjera. Nuk e di nëse do ta zhvillojmë menjëherë revanshin”, ka thënë Ruiz Jr në konferencën për shtyp pas ndeshjes.

Një marrëveshje mbi revanshin është konfirmuar edhe nga promotori i njohur Eddie Hearn, ndërsa mbetet të shihet kur do të ndodh një gjë e tillë.