Joshua i kundërpërgjigjet Ruizit – i dërgon këtë paralajmërim

Boks 05 Shtator 2019 14:32

Anthony Joshua është zotuar se do t’i ekspozojë dobësitë kundërshtarit të tij, Andy Ruiz Jr, në rimeçin mes tyre për titujt e botës në kategorinë e rëndë të boksit.

Ruiz Jr e tronditi Joshuan duke e rrahur dhe ia rrëmbyer titujt IBF, WBA dhe WBO në qershor, por ata do të boksojnë për herë të dytë më 7 dhjetor në Arabinë Saudite.

“Një dështim i vogël nuk duhet të të ndryshojë si person. Duhet të jesh vetja gjithmonë”, tha Joshua për Sky Sports.

“E di për çfarë jam këtu. E di se çfarë jam në gjendje të bëj dhe e di se çfarë është në gjendje të bëjë ai”, shtoi Joshua.

Ruiz tha dje se ai do ta dëshmojë përsëri se kritikët e tij e kanë gabim që mendojnë se ai do të humbasë, siç e kishte dëshmuar më 1 qershor. Ai premtoi se do ta mundë përsëri boksierin britanik.

Joshua, ndërkohë, thotë se do t’ia ekspozojë dobësitë boksierin amerikan – i cili e përfaqëson Meksikën për shkak të prejardhjes.

“E di disa prej atributeve të tij, por edhe disa prej dobësive të tij. Duhet ta ekspozoj më shumë këtë herë”, tha Joshua.

“Herën e parë që e rrëzova (në meçin e parë), kam mundur të jem më i mençur”, shtoi ai.