Joshua: Ju tregoj çka do të ndodhë në rimeçin me Ruizin

Boks 05 Qershor 2019 11:54

Anthony Joshua në një intervistë për Sky Sports ka folur për duelin e humbur më 1 qershor ndaj meksikanit Andy Ruiz Jr, ku dorëzoi edhe titujt kampionë bote në peshën e rëndë.

Britaniku shprehet se nuk ka asnjë keqardhje, pasi ka bërë maksimumin dhe se nuk vë gishtin tek askush si shkaktar të humbjes.

Ai ka thënë se do ta fitojë rimeçin dhe do të rikthehet kampion bote.

“Të gjithë së bashku zhvilluam një fazë përgatitore të shkëlqyer. Puna nisi në Sheffield dhe më pas vijoi në Nju Jork gjatë konferencës së shtypit. Aty pati mjaft tension për shkak të konferencës me Jarrell Miller. Sfida me këtë të fundit u anullua për shkak të dopingut dhe synuam duelin me Luis Ortiz, por refuzoi. Në fund u vendos për Andy Ruiz. E gjithë kjo situatë ka një peshë në këtë dështim”, tha Joshua.

Më tej, britaniku shton: “Edhe në Majemi faza përgatitore shkoi mirë. Ushqehesha vetëm në shtëpi, për të evituar çdo problem. Regjim, tamam si një ushtar. Nuk pata asnjë sulm paniku për këtë duel të parë në Amerikë. Të gjithë inatin e kam me veten dhe askënd tjetër. Nuk kam asgjë pishman, pasi i bëra gjërat ashtu si duhet”, tha Joshua.

Dy boksierët do të duelojnë sërish në nëntor ose dhjetor të këitj viti. Joshua ka aplikuar klauzolën që kishte në kontratë, që e lejonte të zhvillonte revanshin në rast se do të humbiste titujt kampionë bote.

Për Joshua një shans i artë për t’u rikthyer kampion bote. “Unë jam ende Anthony Joshua, nuk ka ndryshuar asgjë. Do të rikthehem kampion”, tha boksieri britanik.