Joshua rrëzohet katër herë dhe dorëzohet – shikoni pamjet

IPKO Superliga 02 Qershor 2019 05:23

Andy Ruiz është kampion bote në kategorinë e rëndë në versionin WBA, IBF dhe WBO, pasi bëri befasinë më të madhe në boksin profesionist në 30 vitet e fundit, duke mundur Anthony Joshuan.

Meçi midis Joshuas dhe Ruizit u zhvillua në Madison Square Garden në Nju Jork dhe shënoi debutimin e Anthony Joshuas në Shtetet e Bashkuara.

Joshua ishte kampioni aktual i botës dhe favorit i madh sipas ekspertëve dhe bastoreve, mirëpo, meksikani Ruiz bëri befasinë e madhe, duke fituar në rundin e shtatë pasi katër herë e rrëzoi në knock down kundërshtarin.

Meçi filloi me boks më të mirë dhe iniciativë në Joshuas në dy rundet e para. Në rundin e tretë ishin tri nok daune, meqë fillimisht Joshua rrëzoi Ruizin, mirëpo, Ruiz u kthye dhe dy herë më pas e rrëzoi Joshuan, shkruan Insporti.

Rundi 4 i takoi Ruizit po ashtu, kurse Joshua u kthye nën kontroll në rundet 5 dhe 6 dhe dukej se mund të vazhdojë meçin pa telashe dhe të presë rundet e fundit, bën të ditur Insporti duke iu referuar statistikave zyrtare pas meçit.

Mirëpo, në rundin e shtatë, Ruiz dy herë e rrëzoi Joshuan dhe gjyqtari e ndërpreu meçin pasi Joshua fillimisht ktheu shpinën kundërshtarit dhe gjyqtarit dhe më pas nuk u përgjigj në pyetjen e gjyqtarit nëse do të vazhdojë, raporton Insporti.