Joshua sqaron se përse humbi nga Ruiz: Isha i nxituar, ai u afrua shumë

Boks 05 Qershor 2019 21:10

Anthony Joshua është munduar ta sqarojë se përse humbi ndaj Andy Ruizit të shtunën e kaluar, duke iu marrë kështu edhe titujt e kampionit të botës në kategorinë e peshave të rënda.

Boksieri britanik kishte bërë me dije me parë se ai ishte stërvitur deri në gjashtë apo shtatë javë për përballjen ndaj Jarell Miller, por pastaj erdhi meksikano-amerikani.

Joshua pësoi humbjen e parë në karrierë, por edhe duke humbur titujt WBA, WBO dhe IBF, për një natë, gjersa u nokautua dy herë në raundin e tretë dhe dy herë në të shtatin, ku edhe u mbyll përballja me nokaut teknik.

“Të shtunën unë humba dhe e pranoj atë si një burrë. Asnjëherë mos lejoni suksesin të futet thellë në kokën tuaj, por mos e lejoni as dështimin”, ka thënë boksieri britanik.

“Kur humbni, e ndjeni sikur një copë është larguar nga trupi juaj, por unë nuk do të bëj asgjë për të ndryshuar, jam ende ambicioz dhe do të punoj shumë për t’u rikthyer si kampion”.

“Ndoshta isha i nxituar para meçit me Ruiz. Isha shumë i hapur sa që duhej. Ai u afrua shumë dhe arriti të më godiste në raundin e tretë. Tentova ta rimerrja veten, por nuk isha në dijeni se isha ekspozuar shumë ndaj goditjeve të tij, andaj erdhi edhe te humbja”, ka shtuar më tej Joshua.