Joshua: Zotohem se do t’i rikthej titujt e botës, ishte një hap i vogël prapa në karrierë

Boks 03 Qershor 2019 10:15

Anthony Joshua është zotuar se do t’i rikthejë në pronësi titujt e botës në kategorinë e rëndë, derisa e ka vlerësuar si hap të vogël prapa humbjen tronditëse nga sfiduesi Andy Ruiz Jr.

Në njërën prej tronditjeve më të mëdha në kategorinë e rëndë të boksit, Ruiz Jr e mposhti Anthony Joshuan për tre titujt e botës në kategorinë e rëndë, JBF, WBO dhe WBA, të dielën në mëngjes në Shtetet e Bashkuara..

29-vjeçari u rrëzua katër herë nga Ruizi, por beson se kjo humbje ishte test për të.

“Ishte testim i karakterit tim. Do ta shoh se çfarë të bëj më tutje dhe të ec përpara”, tha Joshua.

Promotori Eddie Hearn ka thënë se Joshua duhet ta fitojë patjetër rimeçin me Ruizin, përndryshe mundësitë e tij do të jenë zero pastaj.

Rimeçi mes tyre pritet të ndodhë në fund të këtij viti, në nëntor apo dhjetor në Angli. Ruiz ka premtuar se do ta pranojë rimeçin në çfarëdo kohe, transmeton Insporti.com.

I pyetur për një meç të mundshëm me kampionin e WBC-së, Deontay Wilder dhe Tyson Fury, Joshua tha: “Akoma dua të luftoj me ata dy, por njëherë duhet të ndodhë rimeçi me Ruiz. Ende jam kampion dhe do ta dëshmoj këtë për t’i rikthyer titujt”.