Ju premtoj se kurrë nuk keni lexuar një storje si kjo

Opinione 12 Shkurt 2019 10:55

Jesse Lingard

U qortuam në mënyrë të ashpër. Po flasim për qortime që ju ngrisin flokët përpjetë.

Dëgjoni, e di se të gjithë flasin për metodën e Sir Alex, që të ngritë flokët lart. I kam dëgjuar të gjitha këto storje nga ditët e moçme. Ato ishin legjendare. Por kurrë nuk keni parë një qortim nëse nuk e keni parë gjyshim tim duke e bërë të tijën.

Po flasim për një nivel krejtësisht tjetër.

Kjo ishte në ditët e mija të akademisë te Manchester Unitedi. Mendoj se të gjithë ishim rreth 11-vjeçarë. Po luanim te Stoke. E dini, shiu duke na rënë dhe të gjitha këto – ishte njëra prej këtyre ditëve. Nuk po luanim mirë, dhe tensionet po ngriteshin. Dhe gjëja qesharake ishte se, prindërit e futbollistëve të Stoke dhe të Unitedit të gjithë po rrinin ulur së bashku.

Kështu që ky prind i një lojtari të Stoke po e thërriste gjyqtarin për diçka apo tjetër, dhe unë mund të dëgjoja që gjyshi im po ia ngriste zërin atij: “Hej, ulu. Ulu, bir”.

Ju duhet ta kuptoni, gjyshi im i përket ‘shkollës së vjetër’. Ai nuk ishte as një njeri i futbollit, me të vërtetë. Në ditët e tij të rinisë, ai ishte një lojtar i ragbit dhe një ngritës i peshave për ekipin e Britanisë së Madhe. Ai nuk iu përkushtua plotësisht futbollit deri pas lindjes time dhe pasi fillova të luaj me topin tim të vogël të plastikës.

Ishim gjithmonë unë dhe gjyshi im. Çdo ditë. Ai dhe gjyshja ime ndihmuan në rritjen time. Unë në fakt flija në një dyshek në dyshemenë e dhomës së tyre.

Gjyshi im nuk dinte shumë për futbollin, por ai mund të shihte se e doja, kështu që sapo kishte filluar ‘shartimin’. Fjalëpërfjalshëm, kur isha katër vjeç, bleva këto kaseta të futbollit në VHS, dhe për çfarëdo arsye ato ishin nga Japonia. Dhe ju e dini se si duket kjo. Imagjinojeni. Ky burrë i madh anglez, i ulur para televizorit çdo mëngjes me çajin e tij, duke shikuar mësime të futbollit në gjuhën japoneze, duke marrë shënime. Pastaj, pas shtëpisë së pleqve, ai do të më dërgonte në park dhe më mësonte se si të bëja një lëvizje të re. Por unë isha aq i vogël sa që topi ishte fjalëpërfjalshëm deri në gjurin tim. Kështu që unë po kërceja mbi topin për të bërë hapat – duke lëvizur majtas dhe djathtas.

Mendoj se aty dilnim çdo ditë.

Ai ishte kaq i pasionuar.  Dëshironte të më ndihmonte. Por ne ishim në një vend ku luhej ragbi, në Warrington, kështu që ai nuk e dinte se sa i mirë isha. Mënyra se si ai e tregon, ai më dërgoi në akademinë e United për një testim kur isha shtatë vjeç, dhe një nga trajnerët e afroi dhe e pyeti, “Ku e ke fshehur atë”?

Që nga ajo ditë, kur iu bashkova akademisë, është bërë një lloj ëndrre për ne. Ju nuk mund të arrini atje i vetëm, nuk më intereson se kush jeni. Ju duhen njerëz për të ju mbështetur. Dhe ai më ka mbështetur çdo ditë.

Sidoqoftë, kthehemi në storjen time.

Ishim në Stoke, duke hasur në vështirësi me shiun, dhe ai po i bërtiste këtij prindi të lojtarit të Stoke, duke e qortuar ashpër. Tensionet u ngritën, dhe ne ishim në fushë duke humbur kontrollin. Mendoj se e humbën ndeshjen me disa gola diferencë, dhe kur jeni te Unitedi, kjo përbën një problem. Edhe kur jeni 11 vjeç. Kështu që erdhi fishkëllima e fundit, dhe ne po largoheshim nga fusha, duke pritur që të qortoheshim nga trajnerët, dhe pastaj rrugës për në shtëpi.

Por ne as nuk arritëm deri në dhomat e zhveshjes.

Gjyshi im u fut drejt e në fushë: “Hej ju, të gjithë! Hej! Ejani këtu”.

Ne të gjithë po e shikonim si të habitur.

“Turp! Ishit të turpshëm sot. E pabesueshme. Shkoni dhe shikoni veten tuaj në pasqyrë. Keni zhgënjyer familjet tuaja. Zhgënjyet veten tuaj. E poshtëruat stemën e ekipit. Ju nuk jeni të denjë për ta veshur fanellën”.

Ne nuk po e dinim a të qeshnim, apo të qanim.

Mendoj se ai u ndëshkua për katër ndeshje për shkak se ofendoi prindërit e futbollistëve të Stoke, dhe pas kësaj u bë një legjendë. Pa të, nuk ka shans se do të isha këtu ku jam. Ju duhet të mendoni për gjasat.

Kur u futa në akademi për herë të parë, një ditë vrapova te Sir Alex Fergusoni në korridor, dhe bëra një fotografi me të. Tamam fotografi. Kodak. Mbajtëm foton në shtëpi dhe gjyshi im e merrte atë dhe thoshte: “Ja tek është. Njeriu i madh. Do të luash për të një ditë”.

Njeri i madh. Kështu e thërriste ai.

Problemi ishte se unë isha shumë, shumë i vogël. Nuk mund të fitoja peshë. Po haja vazhdimisht hamburgerë, por vazhdoja të isha shumë i dobët. Gjyshi gjithmonë thoshte: “Kur do të vish në kopshtin e shtëpisë me mua? Duhet të fitosh ca muskuj”.

Më kujtohet se kur isha nëntë vjeçar, shkova në zyrën e Tony Whelan dhe thashë: “Zotëri, a mund të filloj të ngris pesha? Gjyshi im dëshiron të dijë”.

“Jo, jo bir, Nuk mundesh”, ishte përgjigja e tij.

“Pse jo?”, thash unë. Ai tha: “Sepse je nëntë vjeçar”.

Gjithmonë e dija se madhësia ime do të përbënte një sfidë. Edhe kur u rrita më shumë, po ‘notoja’ në fanellën time. Kam një foto nga Nike Cup, dhe vëllai im gjithmonë qesh me të. Po luanim ndaj AS Romës, dhe unë jam 15 vjeçar, por dukem si të isha 10 vjeç. Kurse këta italianët ishin 15-vjeçarë, por dukeshin se janë 25 vjeç.

Dukesha si një maskotë, që ishte futur në fushë vetëm për të qeshura.

Gjëja interesante është, se ne e fituam këtë ndeshje. Kishim fituar shumë ndeshje atëherë, dhe unë po luaja mirë – por nuk po rritesha. Kur u bëra 16 vjeç, pashë shumë prej bashkëlojtarëve që po merrnin kontrata profesioniste, por unë nuk mora një ofertë të tillë. Isha i dëshpëruar.

Sinqerisht, mendoj se nuk do të isha këtu po të mos ishte për Sir Alex. Po të mos ishte për njeriun e madh. Një ditë, ai pati një takim me mua dhe familjen time. Ai na uli në zyrën e tij, dhe tha: “Do të të nevojitet ca kohë, Jesse. Ne besojmë në ty. Por duhet të jesh i durueshëm. Nuk do të jesh i gatshëm për ekipin e parë derisa të jesh 22 apo 23 vjeç”.

Nuk mund as të ju tregoj se sa e madhe ishte kjo për mua dhe familjen time. Do të mendoni se do të isha i zhgënjyer, por kur një legjendë si Sir Alex thotë se besojnë në ju, kjo do të thotë gjithçka. Ai nuk ka qenë i detyruar të takohet me ne, dhe të më thotë ato fjalë.

Por kjo është arsyeja pse ai është Sir Alex, dhe pse Man United është Man United.

Nuk do ta harroj kurrë një ditë kur isha ende në akademi, dhe po ecja në korridoret e Carringtonit. Mendoj se ndoshta po kaloja në një ditë të keqe. Kështu që vetëm po ecja korridoreve, kur papritur dikush më gjuajti me këpucë prapa kokës.

Dhe u ktheva duke menduar: “Kush dreqin e bëri këtë?”.

Ishte Sir Alex, duke qeshur. “Si po sillesh, djalosh”, më tha ai.

Ai e dinte se çka do të thoshte të bëje diçka të tillë. Kështu e dinit se atij i pëlqenit, kur ai sillej me shaka me ju. Isha në disponim të mirë për ditë të tëra, pas kësaj. Njeriu i madh. Do të luaja për të një ditë.

Nuk do ta harroj kurrë ditën kur Sir Alex na ftoi mua dhe Pogban në bankën rezervë, për ndeshjen në udhëtim ndaj Newcastle. Ishim 18, 19 vjeç. Vetëm më kujtohet duke shikuar përreth dhomës së zhveshjes duke parë këta legjenda tek përgatiteshin, duke veshur çorapet e tyre. Scholes. Rooney. Rio. Giggs.

Unë dhe Pogba u ulëm në bankën rezervë, dhe e dini, ne ishim mësuar duke luajtur në ndeshjet e rezervave para 200 njerëzve. Këtu bëhej fjalë për 50 mijë. Shikoja tribunat dhe po dridhesha. Shikova Pogban dhe i thashë se nëse trajneri më fut në lojë, mund të më shpëtojë nga frika.

Për fat timin, atë ditë qëndruam në bankë. Por ishte një moment kaq i madh për mua. Vetëm fakti se u përfshiva në atë mënyrë, dhe të veshja fanellën për Sir Alex, ishte gjë e madhe për vetëbesimin tim.

E vërteta është se ndoshta nuk isha gati. Tani e shoh këtë. Sir Alex kishte të drejtë për atë se çfarë më tha në atë takim vite më parë. Nuk e di se si mund ta shihte ai, por kishte pasur të drejtë. Në tri vitet e ardhshme u huazova te Leicesteri, Birmingham, Brighton. Mendoj se këto përvoja ishin të nevojshme. Kur arrini majat, njerëzit shohin shkëlqimin dhe joshjen, por nuk shohin gjithçka që kishte ndodhur paraprakisht.

Është interesante, disa njerëz më kritikojnë sepse gjithmonë jam duke qeshur në fushë. Por kurrë nuk do të ndalem së qenuri vetja. Nuk do të ndalem së shijuari futbollin tim. Nuk do të largoj kurrë buzëqeshjen nga fytyra pasi ta kem tepruar, sepse e di se çfarë do të thotë të veshësh këtë fanellë. E di sa me fat jam për mënyrën se si fitoj paratë, dhe për faktin se përfaqësoj këtë stemë, dhe nuk do të ndalem së shijuari as për një minutë.

Por ka mundur të ndodhë krejtësisht ndryshe. Shumë lehtë. Kur më në fund bëra debutimin tim me fanellën e United kundër Swanseas në vitin 2014, isha 22-vjeçar, ashtu siç Sir Alex e kishte parashikuar, dhe familja ime ishte në tribunat e “Old Trafford”.

Por, e lëndova gjurin pas 20 minutave. E kujtoj se pashë vëllanë tim pas ndeshjes, dhe ai kishte lot në sy. Sepse e dinte se çfarë do të thoshte. Nuk ishte vetëm lëndimi. Ishte koha e lëndimit. Ishte gjithçka.

Për 6 muaj nuk mund të stërvitesha, nuk mund të ecja. Nuk mund të bëja asgjë. Vetëm po rrija i shtrirë duke shikuar Unitedin në ‘Match of the Day’, i dëshpëruar. Ndoshta ishte pika më e ulët e jetës sime. Isha me të vërtetë në depresion.

Kaluan 14 muaj para se të kisha shansin që të veshja fanellën e Unitedit përsëri.

Nuk jam ndalur së buzëqeshuri që nga ajo kohë.

Nëse nuk ju pëlqen, më vjen keq. Nuk do të ndryshoj.

Gjashtë vite pas vështirësive të shumta, isha duke e përfaqësuar Anglinë në gjysmëfinalen e Kupës së Botës.

Si e shpjegoni këtë?

Vera e vitit të kaluar në Rusi ndoshta ishte periudha kur jam kënaqur më së shumti në jetën time. Mund të tingëllojë e çuditshme për ta thënë për shkak të presionit të të qenit në një Kampionat Botëror, por sinqerisht, kam qeshur në secilën ditë. Me Gareth Southgaten dhe stafin e tij si dhe jelekun e tij, kishte atmosferë vetëm pozitive. Ishim jashtëzakonisht mirë të përgatitur. Vetëm shikoni gjuajtjet e lira dhe penalltitë. Ishim me të vërtetë të stërvitur. Por, po ashtu mund të shpreheshim dhe të ishim të lirë. Ishim si një familje, dhe shakaja ishte 10 nga 10 me këta djem. Po flasim për djelmosha me të vërtetë qesharak.

Gjithmonë do ta kujtoj secilën ndeshje nga Kupa e Botës, por ende ndjehem i zhgënjyer nga ndeshja me Kroacinë. Ne besuam 100%, dhe mendoj se kemi mundur të bëjmë më shumë. Nuk ishim të lumtur vetëm se ishim aty. Ishim të shkatërruar. Por, në fund të fundit, mendoj se çfarë arritëm verën e kaluar ishte më e madhe se thjesht rezultatet.

Futbolli është i gjithi për të fituar trofe. Gjithmonë do të jetë. Por mendoj se e ndërruam pak këtë mendim në vendin tonë. Shpresoj se dëshmuam se mund të luani me pasion dhe me pozitivitet dhe me një buzëqeshje në fytyrë, dhe përsëri të merrni rezultate.

Kur e shikoni atë ekip, e shihni se patëm shumë djem të rinj. Kishte dyshime në shumë prej lojtarëve. Shumë lojtarë që patën rrugë të gjatë për të ardhur deri këtu.

Mendoj se ua dëshmuam të gjithëve se jemi të denjë për të veshur fanellën [e Anglisë].

Për fat të keq, gjyshi im nuk arriti të bënte udhëtimin për në Rusi. Por ai po e ndiqte çdo minutë nga shtëpia, dhe e bëri gjyshen që të ruante të gjitha gazetat. Pasi shënova në ndeshjen kundër Panamas njëra prej tyre pati një foto të madhe timen duke festuar, dhe në storje përmendej se si gjyshi im më ndihmoi që të rritesha.

Ai ende e ka gazetën të ruajtur në dhomën e ndenjes. Isha atje për çaj para ca ditësh, dhe ai e nxori atë. Ai po e shfletonte atë, duke kujtuar momentet e vogla nga Kupa e Botës, më pas tha: “Shikoje këtë, thotë për mua gjyshi i Jesset, Ken, një ish-ngritës i peshave për Ekipin e Britanisë së Madhe”.

Ai më pas filloi të qeshë, dhe bëri me gisht drejt hangarit në kopsht.

“Ish i forti, ë? Ish… broçkulla”.

E publikuar në The Player’s Tribune, përkthyer nga Insporti.