Jupp Heynckes i zhgënjyer me rezultatin

Futboll 26 Prill 2018 08:02

Bayern Munchen mbrëmë në ndeshjen e parë gjysmëfinale kundër Real Madrid në Ligën e Kampionëve u mposht me rezultat 1-2 në “Allianz Arena” dhe trajneri i bavarezëve, Jupp Heynckes, është shprehur i dëshpëruar me këtë humbje.

Ai nuk arriti ta largonte ndjenjën e keqe të humbjes, duke mos besuar se janë mposhtur , mirëpo megjithatë, beson se futbollistët e tij do të arrijnë ta përmbysin rezultatin pas një javë në “Santiago Bernabeu”.

“Ndeshja e mbrëmshme tregoi se Real Madridi është i prekshëm, që ata të mund të mposhten”, tha fillimisht Heynckes.

“Treguam se mund t’i lëndojmë ata, prandaj kjo gjë na jep shpresë për ndeshjen e dytë. Kurrë nuk duhet të dorëzoheni dhe të hiqni dorë. Duhet ta luajmë ndeshjen e dytë dhe të përpiqemi ta fitojmë atë dhe këtë gjë do ta dëshmojmë”.

“Rezultati 2-1 për Real Madrid, ishte një dhuratë nga ne. Nuk shihet shpesh një lojë e tillë në Ligën e Kampionëve, ku një skuadër si ne, ka aq shumë raste dhe në të njëjtën kohë dështojmë t’i konkretizojmë ato. Po ashtu, është një gjë e pazakontë që Real Madrid, t’i lejojë një kundërshtari të krijoj kaq shumë shanse, mirëpo përkundër kësaj ne nuk ishim në gjendje t’i kthenim ato në gola”, vazhdoi trajneri gjerman.

“Kushdo që më njeh mua dhe e di çfarë po mendoj, duhet ta dijë se të njëjtën gjë e mendojnë edhe lojtarët e mi. Pra, ne do të japim gjithçka në ndeshjen e dytë, për të kompensuar rezultatin dhe do të mundohemi ta përmbysim atë”, përfundoi Jupp Heynckes.

Ndeshja e dytë, zhvillohet javë tjetër, të martën më 1 maj, në stadiumin “Santiago Bernabeu” në Madrid. /Insporti.com

-->