Jurgen Klopp: “Salah ende nuk është lojtari më i mirë në botë”

Futboll 25 Prill 2018 14:35

Futbollisti më i përfolur kohëve të fundit, Mohamed Salah, është një shtyllë e rëndësishme tek skuadra e Liverpool dhe egjiptiani po e synon çmimin për “Këpucën e Artë”, si golashënuesi më i mirë në Evropë.

Shumëkush po e cilëson 25 vjeçarin, njërin nga futbollistët më të mirë momentalisht, në mos edhe më i miri dhe po e konsiderojnë si një kandidat serioz për “Topin a Artë”, çmim i cili tash e dhjetë vite është fituar nga Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi.

Mirëpo, trajneri i tij, Jurgen Klopp, mendon se Salah ka ende rrugë para tij, për t’u shndërruar në më të mirin e botës.

Gjermani është i vetëdijshëm për talentin që ka egjiptiani, por mendon se Salah ende nuk i ka arritur sukseset që nevojiten për t’u konsideruar si më i miri.

Megjithatë, Klopp beson se ajo ditë do të arrijë për Salah, e në ndërkohë ai vetëm duhet të vazhdojë me formën e tij që po shfaq dhe të përmirësohet në vazhdimësi.

“Ai po kalon në një formë të jashtëzakonshme dhe është një lojtar i nivelit të lartë. Por, për të qenë më i miri në botë, duhet të jesh në një formë të tillë në vazhdimësi”, tha Klopp. /Insporti.com

 

-->