Jurgen Uldedaj: Nuk morëm vlerësimin e duhur, ndeshjet e mia tani larg Shqipërisë

Boks 31 Dhjetor 2018 08:23

Jurgen Uldedaj ka thënë se ka mbetur i zhgënjye nga tifozët në Shqipëri.

Kampioni i botës për në boks peshën “cruiserweight”, kategoria WBO Junior Jurgen Uldedaj deklaroi në emisionin “Fair Play” në Ora News se ka mbetur thellësisht i zhgënjyer nga mbështetja e ftohtë nga tifozët shqiptarë dhe shteti për ndeshjen e 15 dhjetorit ku mposhti argjentinasin Nicolas Leandro Arganaraz.

Ai vendosi se ndeshjet e tij nuk do t’i zhvillojë në Shqipëri.

“Si fillim dua të falenderoj promotorin tim, trajnerin dhe menaxherin tim që bëri të mundur që ndeshja të zhvillohej në Shqipëri. Mund të them fatkeqësisht nuk mori atë vlerësimin e duhur. Duke parë që salla ishte thuajse 70 përqind e mbushur plot. Më vjen keq ta them, po kjo nuk do të ndodhë më në Shqipëri, nuk ja vlen”, u shpreh boksieri që jeton dhe stërvitet prej vitesh në Gjermani.