Juristi analizon statutin e FFK-së, tregon nëse Agim Ademi ka mandat katërvjeçar apo jo

Futboll 14 Dhjetor 2019 08:33

Ish sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fatos Hoxha ka analizuar situatën e fundit të kërkuar në shtëpinë futbollit të Kosovës (FFK) duke thënë se statuti i FFK-së duhet të ndryshohet në disa pikë, për ta përmirësuar situatën.

Statuti i Federatës së Futbollit të Kosovës ka qenë pikë e madhe debati gjatë dy javëve të fundit, për shkak të dyshimeve të ngritura për postin e kryetarit të FFK-së Agim Ademi.

Agim Ademi insiston se ai në vitin 2018 fitoi mandat katërvjeçar, ndërsa Arianit Ahmeti, që së fundi u shkarkua nga posti i zëvendëssekretarit në Federatë, thotë se Ademi vetëm e ka vazhdimin e mandatit të Fadil Vokrrit të ndjerë dhe se zgjedhje të reja duhet të mbahen në vitin 2020.

“Sidomos pas pranimit të Kosovës në instancat ndërkombëtare të futbollit, UEFA dhe FIFA, ndryshimet janë të domosdoshme, në kuadër të kritereve dhe standardeve që kërkohen”, ka thënë Hoxha në emisionin Favorit në T7.

“Ka shumë gjëra që duhet të rregullohen, sidomos në rastin e Lidhjeve Rajonale, klubeve. Por, edhe statuti i tashëm është i qartë sa i përket zgjedhjes së kryetarit të Federatës dhe e shoh ta panevojshëm reagimin e disa njerëzve. Statuti aktual është shumë i qartë për zgjedhjen e kryetarit. Neni 39, pika 1 thotë se kryetari zgjidhet në Kuvendin e FFK-së, për periudhë katërvjeçare dhe mandati i tij fillon menjëherë pas përfundimit të Kuvendit i cili e ka zgjedhur”, ka thënë Hoxha.

“Kjo është e qartë, në mbledhjen e fundit të Kuvendit të FFK-së, rendi i datës ka qenë zgjedhja e kryetarit me mandat katërvjeçar. Kjo është shumë e qartë dhe unë çuditem se si është bërë ky problem në Federatë tani”, ka thënë Fatos Hoxha.

-->