Juventus mposht Genoa, Barcelona kualifikohet në finale të Superkupës së Spanjës

Futboll 13 Janar 2021 23:46

Juventusi siguroi kualifikimin më tej në Kupën e Italisë mes vuajtjeve. Bardhezinjtë e Andrea Pirlos mposhtën 3-2 Genoan në shtëpi, duke kaluar në çerekfinalet e Kupës së Italisë.

90 minutat e mbyllën në barazim 2-2. Dejan Kulusevski dhe Alvaro Morata shënuan dy herë në 23 minutat e para dhe u duk se Juventusi e siguroi lehtësisht fitoren. Një gjë e tillë nuk ndodhi dhe miqtë reaguan dhe e dërguan sfidën në shtesa.

Lennart-Marten Czyborra shkurtoi diferencën në minutën e 28-të, teksa Filippo Melegoni barazoi takimin në minutën e 74-t. Ndeshja në shtesa, aty ku kampionët e Italisë nuk mund të gabonin më. 21-vjeçari tunizian, Hamza Rafia realizoi golin e fitores për Juventusin në minutën e 105-të.

Penalltitë vendosën edhe finalistin e parë të Superkupës së Spanjës. 1-1 përfundoi koha e rregullt e Real Sociedad-Barcelona. Frenkie De Jong shfrytëzoi një asist të Griezmann për të kaluar katalanasit në avantazh në fundin e pjesës së parë (39′).

Baskët nuk u pajtuan me këtë rezultat dhe rikthyen baraspeshën në minutën e 51-të. Penallti për Sociedad dhe goditje e saktë e kapitenit Mikel Oyarzabal. Gola nuk pati më, madje as në shtesa. Ekipet iu drejtuan raundit të penalltive, aty ku Barcelona u tregua më e saktë dhe u kualifikua në finale.

-->