‘Kampionati i sakrificës’ që nxit një revolucion

Opinione 15 Qershor 2020 13:11

Besnik Dizdari

Kurrë nuk më kishte shkuar mend ja që këtë kampionat 2019-2020 ta kisha quajtur “Kampionati isakrificës”. Mirëpo, kapriçot e rruzullit tokësor më bënë që ta quaj të tillë. Në këtë rast nuk ka fort vend as për kritikë, as për humor apo shkrime të një ironie. As për rreptësi gazetarësh dhe as për forcë parashikimesh të kaheve të ndryshme, ndonëse pa këto të fundit është e vështirë të bëjmë. Kampionati në fjalë është një sakrificë, madje dhe një sfidë.

Nuk mund t’ia heqim meritën Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila përveshi mëngët dhe mbasi shpalosi “teorinë” e këtij rifillimi, kaloi në praktikën e tij. Në të vërtetë ajo firmosi një lloj rekordi. Asnjëherë në historinë e kampionateve të stilit vjeshtë – pranverë nuk kishte ndodhur që kampionati i Shqipërisë të ndalohej për plot 86 ditë: 8 mars – 3 qershor 2020! Mirëpo, kështu nuk ka ndodhur vetëm në Shqipëri, por, me pak ndryshime, ka ndodhur në gjithë Europën e afërsisht në gjithë botën.

FSHF-ja i nxori skuadrat në fushën e lojës dhe u tha: “Luani!” Skuadrat nuk bëzanë dhe dolën në fushën e lojës, doemos me një lloj trimërie krejt të veçantë, sepse virusi apo Koronavirusi është ende aty rrotull. Këta djem, si të gjithë futbollistët e botës, janë mësuar të përballojnë shtrëngata, shi, të nxehtë e të ftohtë, por kësaj radhe natyra kapriçoze e botës “së infektuar” i ftoi të përballen me një armik që nuk shihet, të padukshëm.

Më bën përshtypje një gjë, sigurisht nga ajo çka shohnë TV. Qofsha i gabuar pra, por po më duket sikur futbollistët luajnë si dhe më parë e sikur i kanë në tribunat sadopak me aq spektatorë sa kanë pasur në kohët paravirusiane. Shoh një seriozitet, madje shoh edhe përqafime mbas golave të shënuar, që do të thotë gëzim.

Nuk marrin duartrokitje, por ndoshta u duket sikur i marrin. Kanë meritën se teksa qarkullojnë anekënd fushës, e harrojnë virusin, ndonëse rregullat kur mbërrijnë në stadium, kur futen në gardëroba, kur veshin fanellat, ky virus i pamëshirshëmndoshta i kërcënon. Mirëpo, jo. Futbollistët janë djem trima. Kur ishim fëmijë, neve na dukeshin heronj ata, tek i ndiqnim nga pas. Them se të tillë ata janë përherë.. Kampionati kaloi kështu dy javë të një guximi të bukur, ndonëse kur e shoh ndeshjen, vërej se ritmika e tij nuk është e fort e fuqishme.

Topi vonon paksa të mbërrijë te gjysmëfusha e skuadrës kundërshtare, e po aq për t’u kthyer mbrapa. Shoh ndërkaq se gjuajtjet e kanë humbur paksa forcën e tyre, edhe pse, për çudi, kanë shpërthyer golat. Në të dyja javët (16+18) del se janë mesatarisht mbi 3 gola për ndeshje. Sa ka një meritë në këtë mes, po aq ka dhe një dobësi që vjen nga ditët e pakta të stërvitjes në gjithë këtë situatë të jashtëzakonshme, çka duket krejt normale, megjithatë.

Cilat ishin ngjarjet?

Në të 10-ta ndeshjet asnjë skuadër nuk mbeti pa shënuar gola, por dy skuadrat e fundit, Luftëtarie Flamurtari nuk arritën të merrnin asnjë pikë. Çudia është se pa pikë mbeti edhe skuadra kampione – Partizani, e cila mbërriti te humbja e 5-të radhazi: SK Tirana – Partizani 5-1, Partizani – Teuta 0-1, Vllaznia – Partizani 1-0, Partizani – Skënderbeu 1-2 dhe Partizani – KF Kukësi 1-3! Kampionati ka shkurorëzuar kësisoj kampionen në fuqi.

Ka rrokullisur përfundimisht Luftëtarin dhe Flamurtarin, madje ka vendosur rekordin e tij vlonjat: skuadra e Vlorës, si asnjëherë tjetër në histori, ka vetëm 1 fitore në 28 javë. Besoj, pra, se kjo i ngjet për herë të parë. Ndërkaq, duke pa renditjen në këtë rikthim, me sa duket sportklub Tirana po shkon drejt titullit, kur sheh se është 9 pikë largësi prej KF Kukësit. E ajo ndoshta mund të vallëzojë në çdo ndeshje, ndonëse nuk mund të harrojë se edhe javët e mbetura gjithashtu nuk janë pak: plot 8.

Mirëpo, kur kujton se sportklubi është në 100-vjetorin e themelimit, por është edhe skuadra që 90 vjet më parë ka fituar kampionatin e parë të Shqipërisë, joshja e këtyre dy jubileve të shkrira në një nxit një psikologji fitimtarësh të palëkundshëm. Aq më tepër kur mendon se skuadra e kryeqytetit nuk është kampione e Shqipërisë prej bukur 11 vjetëve (2009). Të gjitha këto i rëndojnë jo për t’ia mpakur, por për t’ia lehtësuar ambicien, duke ia kthjelluar, qetësuar, forcuar edhe më tej shikimin dhe synimin për të shkuar te titulli i saj i ri, që për mua do të jetë i 26-ti. Kësaj here këtë shifër nuk po e shpjegoj, sepse e kam shpjeguar njëqind herë…

Natyrisht KF Kukësi nuk dorëzohet, ndonëse i duhet të luftojë në dy fronte të vështira. E them këtë se e ka krejt pranë Skënderbeun (vetëm – 3pikë) i cili gjithashtu lufton për vendine dytë. Skuadrës kuksiane ndërsa sheh lart, atje te SK Tirana, detyrimisht i duhet të kthejë kryet edhe mbrapa, teksa ndien trokun e galopit korçar, që gjithashtu kërkon vendin e dytë. Zakonisht gjatë rrugës së kampionatit flitet tash e parë (jo unë) për luftën për të fituar një pjesëmarrje në Europë, çka është tejet e rëndësishme, sidomos nga ana financiare.

Kësaj radhe nuk ia vlen fort të sillesh rreth këtij synimi. Mbi të gjitha ia vlen fort të flitet për diçka tjetër. Ia vlen të flitet për kampionatin me vetëm 10 skuadra. Dhe e shihni që katërshja e fundit është historike: Vllaznia, Partizani, Luftëtari, Flamurtari! Në të vërtetë nuk mund t’i bashkoj dyshen shkodrano-partizanase me dyshen gjirokastrito-vlonjate. Kjo dyshe e dytë, simbas rregullit të FSHF-së, tashmë është një kategori më poshtë, ndonëse nuk mund të harroj se edhe skuadra e 8-të do të ketë ndeshje për mosrënie. E shihni se çfarë pasioni ka FSHF-ja për të përjashtuar prej kampionatit 30 për qind të skuadrave…? Ky është problemi i vjetër i të gjitha këtyre viteve të fundit: shtimi i skuadrave në 14, madje në 16.

Pa Vlorë e Gjirokastër, ndërsa jemi edhe pa Elbasan, Kavajë, Berat, Fier, Lushnje, po dhe Dinamo, e merrni me mend se sa shumë ka humbur nga forca e tij kampionati i Shqipërisë. E pafalshme! Në një vështrim atdhetar do të thosha se është e dënueshme. Këta muaj ma do mendja se do të vlejnë për ndryshimin e madh: shtimi i skuadrave. Atë që plot forcë gjatë gjithë vitit e kanë kërkuar thuajse të gjithë trajnerëte Shqipërisë përballë heshtjes shembullore të FSHF-së. Më duket se e kanë kërkuar më pak disa prej trajnerëve të skuadrave të kampionatit të parë, këtij që quhet Superligë.

E kuptoj bukur më mirë këtë, kur shihet se prej 10 trajnerëve, 4 a 5 nuk janë shqiptarë dhe ata nuk e dinë se çka janë Vlora, Gjirokastra, Berati, Kavaja, Elbasani, Fieri, Lushnja e Dinamo për historinë qytetare të futbollit shqiptar. Ajo që të çudit është heshtja për këtë problem e shumicës së kryetarëve të klubeve, të gjithë shqiptarë. Duhet të pendohen. A e pyesin veten: Me kë do të luajnë kampionatin e ardhshëm…? Ndërkaq, FSHF-së i takon të bindet se kampionati nuk është i saj. Absolutisht nuk është i saj. Ndonëse, mundet që asaj i duket se është i saj. Në një kohë që kampionati është i këtyre trajnerëve, i këtyre lojtarëve, i këtyre skuadrave, i qyteteve të Shqipërisë, i popullit.

Si nuk e kupton kjo FSHF se sa pak gëzime kanë shqiptarët e sotëm? Dhe si nuke kupton se nuk ka aspak të drejtë t’ia mpakë kësisoj gëzimin e futbollit kombëtar, më saktë të kampionatit kombëtar, këtij populli? Megjithatë, kot merrem me FSHF-në. Më saktë, na takon të merremi me shtetin dhe qeverinë shqiptare, që nuk ndërhyn dhe e ka lënë të përsoset si një diktaturë të llojit më të veçantë këtë FSHF. Shqipëria është në 90-vjetorine themelimit të kampionatit të saj. Festimi më me kuptim i këtij jubileu të madh sportiv do të ishte ai i mësipërmi: ndryshimi i madh përmes zgjerimit.

Dhe ky ndryshim, në fund të fundit, kurrsesi nuk mund të jetë në dorën e një grupi krejt të vogël njerëzish që i përkasin një kryesie të një federate. Në të vërtetë, gjithçka duhet të ishte në duart evetë klubeve, të cilat si të frikësuara s’di se prej kujt, nuk guxojnë ta themelojnë vërtetësisht, pra jo rrejshëm, Ligën Kombëtare të Futbollit. Fatet e kampionatit të Shqipërisë nuk janë në duart e skuadrave tëqyteteve të tij. Siç u tha më sipër, edhe ngaqë shteti, qeveria, ministria heshtin. Ka një shpresë, megjithatë: që ky “kampionat i sakrificës” mund të nxisë një revolucion, po deshe thuaj i vogël, po deshe thuaj i madh.

-->