Kampionët festojnë edhe në “Minatori”

Superliga 03 Shkurt 2018 20:24

Legjenda e Sigal Prishtinës, kapiteni Edmond Azemi, ka qenë përcaktues në fitoren e skuadrës së tij në udhëtim te Trepça me rezultat 69:64. Edo ishte basketbollisti më efikas 25 pikë të shënuara, duke dëshmuar se përkundër faktit që është basketbollisti më i vjetër në ligë, ende e ka fjalën kryesore. Përveç tij, pikë dyshifrore te kryeqytetasit patën edhe:  Fisnik Rugova (19)  dhe Alban Veseli (12). Në anën tjetër, te vendësit më efikasi ishte Samir Zekiqi me 22 pikë, ndërsa Jordan Reed kontribuoi me 13 sosh.

Ndeshja u karakterizua me rivalitet të fortë, ndërsa atmosfera në palestrën “Minatori” ishte e zjarrtë, e tillë çfarë nuk ka qenë tash e një kohë të gjatë, por që i ngjante atmosferës kur fjalën kryesore në basketbollin tonë e kishin pikërisht Trepça e Prishtina.

Pamje nga atmosfera para ndeshjes Trepça – Prishtina

Kompania “IP” perkujdeset per tifozet ne Mitrovice, shperndan topa me logo “IP” 🏀🇽🇰⛹️💪

Posted by Basketball Federation of Kosovo on Saturday, 3 February 2018

Fillimi i ndeshjes u takoi udhëtuesve, të cilët shpejt krijuan epërsi të lehtë, ndërsa çerekun e parë e përfunduan me dhjetë pikë dallim, 19:09. Edhe në çerekun e dytë mysafirët ishin më të mirë dhe e fituan me 17:11, për të shkuar në pushim me kapital prej 16 pikësh, 36:20.

Gjërat ndryshuan në çerekun e tretë, në të cilën vendësit u treguan më të përqendruar dhe këtë  pjesëlojë e fituan me 26:17, për t’u afruar në minus 7 pikë, 46:53. Mirëpo, në dhjetë minutat e fundit ata nuk patën mundësi të “shkrijnë“ epërsinë e kampionëve në fuqi dhe ndeshja përfundoi me fitoren e Sigal Prishtinës, me shifrat 69:61.

Pas kësaj fitoreje, bardhekaltërit mbeten me bilanc të 100 për qindtë, pasi në 18 ndeshje kanë shënuar po aq fitore, ndërsa Trepça gjendet në kuotën e 26 pikëve, sa i ka edhe Rahoveci me një ndeshje më pak të zhvilluar.