Kampioni i Kosovës mund të shpallet me play-offs

Futboll 20 Mars 2020 21:28

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, ka thënë se ai shpreson që kampionati në Ipko Superligën e Kosovës do të kthehet në gjysmë të prillit, përderisa ka thënë se kampioni i ligës mund të shpallet edhe përmes formatit të play-offs.

Shkaku i krizës së koronavirusit që e ka goditur të gjithë botën e futbollit, edhe ligat më të mëdha të futbollit janë pezulluar, ndërsa një hap të tillë e ka ndjekur edhe Ipko Superliga e Kosovës, transmeton Gazeta Express.

Ndeshjet e fundjavës së kaluar fillimisht ishte planifikuar të zhvilloheshin pa tifozë, mirëpo më vonë, pas shfaqjes së rasteve të para me koronavirus, u mor vendimi që ndeshjet të pezulloheshin dhe ende nuk dihet se kur mund të rinisë kampionati sërish, por UEFA e ka caktuar si datë të përfundimit 21 qershorin.

Përderisa ende nuk dihet se kur do të rifillojë kampionati sigurt për shkak se nuk dihet si do të shkojë kriza aktuale me virusin Covid-19, sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, ka thënë se shpreson që liga të kthehet rreth gjysmës së prillit.

“Ne duhet ta përfundojmë rreth datës 21 qershor, mendoj se do të ishte e arsyeshme të rifillojë kampionati rreth mesit të prillit, por me të vërtetë nuk mund ta parashikojmë. Për mua do të ishte mrekulli të fillojmë në mesin e prillit”, ka thënë Salihu në emisionin sportiv “Favorit” në T7.

Më tutje, Salihu ka thënë se FFK-ja i ka disa alternativa për mbylljen e këtij sezoni, përfshirë këtu zhvillimin e ndeshjeve pa tifozë, apo ndryshimin e formatit të ligës për pjesën e mbetur të sezonit duke i praktikuar play-offs dhe play-outs. Si mundësi do të ishte që liga të ndahet në dy grupe dhe ndeshjet të zhvillohet në format play-oofi për ta zbuluar kampionin dhe ekipet që bien nga liga.

-->