Kampionit të botës i hiqet titulli në kategorinë WBC

Boks 06 Qershor 2019 09:00

Boksieri ukrainas Oleksandr Usyk, kampion i padiskutueshëm i botës në peshën “cruiserweight” (pesha deri 91kg), ka humbur titullin e kategorisë WBC.

Usyk, 16 fitore e asnjë humbje në ring, nuk i mbron titujt e këtij Divizioni që prej nëntorit të vitit të kaluar, kur e mposhti me “KO” në raundin e tetë britanikun Tony Bellew, në Manchester.

Pas këtij dueli, ukrainasi mori vendimin të kalojë në peshën e rëndë (pesha mbi 91kg), me shpresën që një ditë të duelojë me kampionin e këtij Divizioni, Anthony Joshua.

Pavarësisht se britaniku u mund, Usyk nuk heq dorë nga peshat e rënda, ku pritet të duelojë ndaj Carlos Takam. Kjo sfidë ishte planifikuar për në 18 maj, por Uysk u dëmtua dhe sfida është shtyrë për në shtator.

Usyk humbi titullin e WBC-së por do të konsiderohet si “kampion në pushim” deri në momentin e kampionit të ri. Ukrainasi mban ende titujt e kategorive IBF dhe WBO të peshës “cruiserweight”.

Për rripin e WBC-së, që tashmë është vakant, pritet të duelojnë Yunier Dorticos dhe Andrew Tabiti, më 15 qershor në Riga të Letonisë, në një sfidë e vlefshme për “titullin e përkohshëm” të këtij Divizioni.