Kaosi me Kamzën, kjo është shpresa e vetme për futbollistët

Futboll 16 Mars 2019 12:19

Rifillimi i aktiviteteve futbollistike në vend nisi pa praninë e Kamzës, e cila sipas kalendarit në mesjavë duhet të luante çerekfinalen e parë të Kupës me Skënderbeun.

Dënimi që Komisioni i Disiplinës ka dhënë për klubin kamzali ka sjellë një kaos në futbollin shqiptar, por ata që e ndiejnë më shumë peshën e ndëshkimit janë futbollistët e Kamzës.

Prej ditësh ata kanë mbetur mes katër rrugëve dhe janë të paqartë se cili do të jetë fati i tyre dhe i pagesave që duhet të marrin sipas kontratës deri në përfundim të sezonit. Për lojtarët, shpresa e vetme mbetet FSHF, por edhe ajo është konfuze nga rregulloret, të cilat nuk e lejojnë që të jetë në krah të futbollistëve.

Mësohet se lojtarët e Kamzës po përgatisin një shkresë për t’ia drejtuar Komitetit Ekzekutiv të federatës, që t’u japë mundësi të angazhohen në klube të tjera dhe të jenë në aktivitet deri në mbyllje të sezonit. Por, rregulloret e FIFA-s dhe UEFA-s nuk e lejojnë një gjë të tillë, kështu që ngërçi mbetet.

Gjersa Kamza nuk ka shpallur falimentimin, FSHF nuk mund të ndërhyjë që të ndihmojë financiarisht lojtarët, të cilët për momentin u lind e drejta e ankimit ndaj klubit për zbatimin e kontratave.

Pjesë e kaosit mbetet edhe çështja e apelimit, pasi akoma nuk është mbledhur komisioni përkatës për të marrë në shqyrtim vendimin që ka dhënë Komisioni i Disiplinës. Thuhet se vonesa për mbledhjen e Komisionit të Apelit për këtë çështje ka lidhje me moszbardhjen e vendimit të argumentuar nga Disiplina, e cila e ka përjashtuar Kamzën nga aktiviteti, si dhe e ka zbritur dy kategori më poshtë. Për momentin lojtarët e Kamzës po stërviten në mënyrë individuale.

-->