Kapiteni i Nigerisë zbulon një lajm spektakolar

Futboll 03 Korrik 2018 14:36

Të martën e kaluar Nigeria u përball me Argjentinën në ndeshjen e tretë të grupit D, me ç’rast kombëtarja afrikane u mposht nga përfaqësuesja amerikano jugore me rezultat 2-1.

Me këtë humbje Nigeria u eliminua nga Botërori “Rusia 2018”, mirëpo kapiteni i afrikanëve John Obi Mikel, vetëm tani ka zbuluar një informacion i cili i ka lënë të shtangur të gjithë.

Ish-futbollisti i Chelseat, ka bërë të ditur se disa orë para asaj ndeshjeje, babai i tij ishte kidnapuar, gjë të cilën Obi Mikel e dinte, por nuk ka mundur t’ia thotë askujt këtë informacion, për shkak se kidnapuesit e kishin kërcënuar, se në rast që ai do t’i informonte autoritetet, babai i tij do të vritej menjëherë.

Kidnapuesit kishin kërkuar një shpërblim për ta liruar të atin e kapitenit të Nigerisë dhe Obi Mikel ishte informuar për këtë gjë nga familjarë të tij, vetëm pak orë para ndeshjes me Argjentinën.

31 vjeçari ka deklaruar se, nuk i kishte treguar askujt në skuadër, në mënyrë që të mos ndikonte te bashkëlojtarët e tij të kombëtares afrikane.

Mësohet se babai i John Obi Mikel, ishte kidnapuar derisa ishte duke shkuar në një varrim, e më pas ishte gjetur nga autoritetet nigeriane dhe tani është mirë dhe gjendet i shtrirë në spital.

“Kam luajtur derisa babai im ishte në duart e disa banditëve”, tha kapiteni i Nigerisë.

“Më është dashur që ta mbaj në vete këtë traumë gjatë ndeshjes dhe të mos lejoj që kjo të ndikojë te unë dhe paraqitja ime, sado që në një situatë të tillë, kjo është shumë e vështirë. Isha i shpërqendruar emocionalisht në momentin që mora lajmin, vetëm pak orë para ndeshjes dhe më është dashur të vendos, nëse jam i gatshëm në aspektin psikik të luaj në atë ndeshje. E bëra zgjedhjen time, që ta mbaj informacionin në vete dhe të luaj, për të mos i zhgënjyer 180 milionë nigerian që na përkrahnin”, deklaroi John Obi Mikel. /Insporti.com

-->