Karateistët e Kosovës mbyllin garat në turneun kualifikues për Lojërat Olimpike

Tokio2020 13 Qershor 2021 17:43

Përfaqësuesja e Kosovës në karate ka mbyllur garat në turneun kualifikues olimpik për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, të cilat po mbahen në Paris të Francës.

Nga pesë garuesit që morën pjesë, më së afërmi normës olimpike ishte Herolind Nishevci, në kategorinë +75 kilogramë.

Garuesi ynë arriti deri në çerekfinale, duke shënuar tri fitore. Mundi Abu Ahamd të Izraelit, Maciej Gebka të Polonisë, ndërsa në raundin e katërt fitoi ndaj Muhamed Ramadan të Egjiptit.

Në çerekfinale u mund nga gjeorgjiani, Gogita Arkania, i cili fitoi normën olimpike. Nishevci vazhdoi ëndrrën olimpike përmes repesazhit, por u mund nga holandezi, Lardy Tyron-Darnell.

Sot garoi edhe Fortesa Orana, e cila shënoi dy fitore, për t’u ndalur në raundin e tretë të kategorisë +61 kg.

Të shtunën, Elhami Shabani shënoi një fitore, por u ndalë në raundin e tretë të kategorisë -75 kg, ndërsa të premten garuan Adelina Rama (-61 kg) dhe Albulena Gërvalla (-55 kg), të cilat pësuan humbje në luftën e parë.

Turneu kualifikues ishte shpresa e fundit për të fituar normën olimpike karateistët. Mundësia e vetme që të paktën Nishevci ose Orana të marrin pjesë në LO Tokio 2020, është përmes ftesës nga Komisioni Tre Palësh i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Asociacioni i Komiteteve Olimpike Kombëtare dhe Asociacioni i Federatave Ndërkombëtare të Sporteve Verore.

Të dy janë propozuar nga KOK-u për të marrë ftesë. /insporti.com/

-->