Kastrati dhe Uzuni arrijnë misionin, dërgojnë Lokomotivën në Ligën e Kampionëve

Kombëtarja 25 Korrik 2020 23:41

Lokomotiva e Zagrebit ka arritur të shkruajë historinë duke siguruar pozitën e dytë në tabelë, që garanton Ligën e Kampioënve, raporton Insporti.com.

Klubi kroat i udhëhequr nga “Banda e shqiptarëve” ka arritur të bëjë mrekullinë, duke siguruar daljen në garën më të madhe të futbollit evropian.

Në ndeshjen e fundit të sezonit, Lokomotiva ka arritur të mposhtë në udhëtim rivalin direkt për pozitën e dytë, Osijek me rezultat 1:2.

Ndeshje në Ligën e Kampionëve për Lokomotivën zhvillohen mes 25 ose 26 gusht, ndërsa më 10 gusht ata do të zbulojnë kundërshtarin e tyre të parë.

Lokomotiva mund të luajë ndaj emrave si Viktoria Plzen, Rapid Vienna ose PAOK.

Klubi kroat rrugëtimin në Ligën e Kampionëve do ta fillojë nga raundi i dytë kualifikues.

Në këtë ndeshje për Lokomotivën nga minuta e parë ishin katër futbollistë shqiptarë.

Lirim Kastrati dhe Myrto Uzuni në sulm, Enis Cokaj në mesfushë dhe në mbrojtje Jon Mersinaj. Cokaj dhe Mersinaj zhvilluan mbi 70 minuta, ndërsa dyshja në sulm Uzuni – Kastrati kompletuan 90 minuta të plotë.

Futbollisti tjetër i Lokomotivës, Indrit Tuci nuk u paraqit në këtë ndeshje.

Golat e fitores kësaj radhe nuk i shënuan shqiptarët, por Kristijan Jakic dhe Daniel Loncjar, i cili shënoi autogol. Golin për Osijek e shënoi Mirko Maric.

Kjo ishte ndeshje e fundit për Lirim Kastratin dhe Myrto Uzunin në fanellën e Lokomotivës.

Kastrati nga sezoni i ardhshëm do të luajë për gjigantin kroat, Dinamo Zagreb, ndërsa Uzuni ditë më parë kompletoi transferimin e tij në kampionatin hungarez.

Sulmuesi shqiptar karrierën do ta vazhdojë me kampionin hungarez, Ferencvarosh.

Kastrati këtë sezon zhvilloi 33 ndeshje, duke shënuar 11 gola dhe dhuruar 9 asistime.

Uzuni po ashtu pati fjalën e tij në këtë histori, duke u paraqitur në 31 ndeshje, shënoi 9 gola dhe dhuroi 7 asistime.

I rëndësishëm me golat e tij ka qenë edhe Indrit Tuci, i cili ka shënuar 4 gola dhe dhuruar 3 asistime në 25 paraqitje.

Së bashku kanë shënuar 19 gola dhe kanë dhuruar 16 asistime, duke qenë shtylla e skuadrës së Lokomotivës.

Me këtë fitore, Lokomotiva e përfundon sezonin në pozitën e dytë me 65 pikë.

Në pozitën e tretë përfundon Osijek, me 64 pikë, pozitë kjo që dërgon në Ligën e Evropës. Në skuadrën e Osijek paraqitet reprezentuesi i Shqipërisë, Eros Grezda.

Grezda në këtë ndeshje nuk është paraqitur pasi është duke e vuajtur dënimin nga Federata e Kroacisë pasi grushtoi kundërshtarin e tij.

Në pozitën e pestë ka përfunduar klubi i mbrojtësit të Shqipërisë, Ardian Ismajli me 60 pikë të grumbullura.

Ismajli raportohet se do të transferohet në Serie A, ku disa klube kanë shfaqur interesim për shërbimet e tij.

Kampionatit kroat tash e disa vite është bërë “vatër” e talentëve shqiptarë. Kujtojmë se kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani nga Dinamo Zagrebi arriti të siguronte transferimin në Hellas Verona, e më pas në Napoli.

Në kampionatin kroat nga sezonin i ardhshëm mund të luajë edhe talenti i Ballkanit, Blend Baftiu./Insporti.com/

-->