KEK-u – Llapi: Mbyllet ndeshja, ky është rezultati

Llapi ka regjistruar një fitore të rëndësishme, si mysafir i KEK-ut, të premten në mesditë, me rezultat 3-0.
Kjo përballje “hapi perdën” për vazhdimin e edicionit në Superligën e Kosovës, pas pushimit dimëror, shkruan Insporti.
Llapianët, edhe ashtu favoritë para takimit, dominuan ndeshjen dhe e gjetën rrugën e golit qysh në minutën e 37-të, me anë të Mentor Zhdrellës, i cili realizoi nga penalltia.
Gjërat për vendësit u përkeqësuan dy minuta më vonë, kur Tërvioll Stullqaku u përjashtua me karton të kuq.
Llapi golin e dytë e shënoi në kohën shtesë të pjesës së parë, me anë të Hamdi Namanit.
Në pjesën e dytë, mysafirët realizuan edhe një herë në minutën e 89-të, me anë të Arbnor Ramadanit, derisa skuadra e Xhengis Rexhepit tani grumbullon 38 pikë dhe mbetet në pozitën e tretë, me dy pikë më pak se lideri, Prishtina dhe një më pak se Feronikeli, por këto dy të fundit kanë një ndeshje më pak të luajtur.
Në anën tjetër, KEK-u është favorit për të rënë nga liga, pasi ka grumbulluar vetëm një pikë nga 18 ndeshje të luajtura. /Insporti.com/