“Kemi fakte për kurdisje në Kosovë, s’di pse s’kemi pasur dënime”

Analisti dhe njohësi i zhvillimeve në futbollin kosovar, Ardian Llumnica, është shprehur i habitur që nuk ka pasur dënime për njerëzit në futboll, për të cilët ishin publikuar video dhe incizime të ndryshme që ngrinin dyshime të forta për kurdisje.
Dyshimet për kurdisje – të cilat u vunë sërish në vëmendje të tifozëve pas dyshimeve se ndeshja mes Llapit dhe Drenicës ishte e kurdisur –e kanë ndjekur futbollin kosovar tash e 20 vjet e edhe pas anëtarësimit në UEFA e FIFA.
Përderisa dënimet për këto dyshime kanë munguar nga institucionet shtetërore, në media janë publikuar video e kanë dalë deklarime publike të personave për këtë dukuri.
Në tentim për t’i luftuar këto është miratuar Ligji për Sanksionimin dhe Parandalimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Sport, si dhe është themeluar Këshilli Kombëtar për luftimin e dukurive negative në sport.

Përkundër miratimit të këtij ligji dhe themelimit të këtij Këshilli, dënimet kanë munguar dhe kjo gjë e ka lë të habitur Ardian Llumnicën.
“Prej vitit 2012 deri në vitin 2020 ne kemi pasur X raste dyshuese dhe shumë dyshuese, ne po flasim për video në kafene dhe në restorante, por kemi video edhe brenda, me akterë në fushë, pranë delegatit, zyrtarëve e kamerave”, ka thënë Llumnica në emisionin sportiv “Favorit” në T7, ku temë diskutimi ishte fenomeni i quajtur “kurdisje”.
“Ato kanë qenë më shumë se fakte dhe nuk e di pse apo ku ka ngecur puna edhe nga Prokuroria. Unë uroj që këto të mos ngecin vetëm në fazën e hetimeve dhe të dyshimeve dhe më pas të mbyllet gjithçka, sepse problemi vetëm sa rritet më shumë”.