Kerasan Prishtina – Borea, para sfidës së rëndësishme

Superliga 02 Shkurt 2018 13:45

Kerasan Prishtina e ka mundësinë e artë që me fitore eventuale në ndeshjen e nesërme kundër Boreas të bëjë një hap të madh drejt mbijetesës në IP Superligën e Kosovës në basketboll, së paku të shpresojë që këtë qëllim ta arrijë me anë të barazhit. Me gjithë rëndësinë e ndeshjes, trajneri i skuadrës prishtinase, Dritëro Sefaja, thekson se te basketbollistët e tij nuk ka asnjë presion.

“Sikur edhe në shumicën e ndeshjeve, edhe këtë herë ne hyjmë si autsajderë, si një skuadër që nuk i ka imperativ fitoret. Që nga fillimi i kampionatit, synimi ynë ka qenë zhvillimi i basketbollistëve të rinj, 4-5 prej të cilëve po i përgatisim për Përfaqësuesen U-20 për Kampionatin Evropian dhe 5-6 të tjerë për U-18.”, ka thënë Sefaja, duke e vlerësuar shumë rivalin e nesër.

“Borea është skuadër e re në Superligë, e cila po përpiqet ta sigurojë mbijetesën në këtë shoqëri dhe mendoj se është në rrugë të mirë.  Sy fundi janë përforcuar me dy basketbollistë të huaj si dhe me Musab Malën që ka përvojë në basketbollin tonë.  Kur kësaj ia shtojmë faktin që i kanë edhe 4-5 lojtarë vendorë që kanë përvojë disa-vjeçare, atëherë është e qartë se Borea është favorit absolut.  Sidoqoftë ne do ta japim maksimumin dhe të përpiqemi t’i zbatojmë ato pika në të cilat kemi punuar gjatë javës në stërvitje”, ka shtuar Dritëro Sefaja.

Më optimist është shprehur trajneri i skuadrës pejane, Dakë Turku. “Jemi përgatitur mirë dhe jemi optimistë se do të tregojmë lojë të mirë e përmes saj edhe të shënojmë fitore.  Nëse e arrijmë këtë qëllim, atëherë gjasat për të siguruar ekzistencën në Superligë janë më reale”, ka thënë Turku. Borea së fundi është përforcuar edhe me dy basketbollistë të huaj, kanadezin Charls Carter dhe amerikanin Brandon Bilbija. “Me angazhimin e tyre skuadra ka përfituar në cilësi dhe shpresoj që do të arrijmë t’i realizojmë objektivat tona”, ka shtuar timonieri i Boresa.

Ndeshja ndërmjet Kerasan – Prishtinës dhe Boreas zhvillohet nesër në kryeqytet me fillim në orën 17:00.

E shtunë:
17:00 Kerasan Prishtina – Borea
19:00 Trepca – Sigal Prishtina

E diel:
18:00 Golden Eagle Ylli – Bashkimi
18:00 Peja – Rahoveci

-->