Kërcënohen me jetë ata që hetojnë Skëderbeun

Futboll 16 Shkurt 2018 17:23

Duket se e tërë afera me Klubin e Futbollit Skënderbeu mund të zhvillohet në diçka shumë serioze. UEFA sot ka njoftuar se inspektorët e saj që po e hetojnë klubin shqiptar janë kërcënuar me jetë.

“Sot, Inspektorët Disiplinorë të UEFA-s që punojnë në këtë rast kanë marrë kërcënime anonime me jetë, me sa duket kanë për qëllim t’i trembin ata dhe t’i ndalojnë që të kryejnë punën e tyre. Këto kërcënime nuk do të kenë sukses dhe policia është njoftuar gjithashtu”, theksohet në deklaratën e UEFA-s.

Siç dihet Skënderbeut i është ndaluar pjesëmarrja në gara evropiane në sezonin 2016/17 dhe ky ekip rrezikon të dënohet me 10 vjet suspendim nga gara evropiane dhe 1 milionë euro gjobë monetare, për kurdisje të ndeshjeve.

“UEFA mbetet plotësisht e angazhuar në luftën kundër fiksimit të ndeshjeve dhe i gjithë stafi i që punon në këto çështje vendimtare mund të llogarisë mbështetjen e plotë të organizatës”, theksohet në deklaratën e UEFA-s, transmeton TCH.

Mediat shqiptare dje e kanë bërë publik dokumentin ku kërkohet dënimi i Skënderbeut nga ana e Komisionit Disiplinor të UEFA-s.

Përndryshe, viteve të fundit në Shqipëri ka pasur shumë afera të kurdisjes së ndeshjeve dhe disa ekipe janë dënuar edhe nga organet ndërkombëtare të futbollit.

-->