Kështu reaguan tifozët e Arsenalit pas humbjes në minutën e fundit

Futboll 20 Qershor 2020 20:09

Dy tifozët e Arsenalit të famshëm shkaku i kanalit në Youtube AFTV, Troopz dhe DT, dolën nga dhoma me mosbesim gjatë një transmetimi direkt, pasi klubi i tyre i zemrës e humbi ndeshjen e sotshme kundër Brightonit shkaku i një goli të shënuar në momentet e fundit të ndeshjes.

Brightoni i “rrëmbeu” tre pikët e ndeshjes kundër Arsenalit, duke e shënuar golin e fitores në sekondat e fundit të ndeshjes. Fitorja me rezultat 2:1 ia jep Brightonit tre pikë të rëndësishme në garën për mbijetesë, ndërsa Arsenalit i dëmtohen edhe më shumë gjasat për kualifikim në Ligën e Kampionëve.

Përderisa Arsenali ishte skuadra më e mirë në American Express Community Stadium, londinezët nuk arritën ta gjejnë golin deri në minutën e 68-të, kur shënoi Nicolas Pepe, pasi që goli i shënuar nga Pierre Emerick-Aubameyang 15 minuta më parë ishte anuluar shkaku i një pozite jashtë loje.

Festa e tifozëve të Arsenalit nuk zgjati shumë pasi që Brightoni arriti ta barazojë rezultatin vetëm shtatë minuta më vonë, kur një goditje e Lewis Dunk krijoi një rrëmujë në mbrojtjen e Arsenalit dhe e barazoi rezultatin.

Arsenali vazhdoi të luftojë për ta shënuar golin e fitores, megjithatë këtë gol e gjetën vendasit në sekondat e fundit të ndeshjes, kur golin e shënoi Neal Maupay. Ky gol shkaktoi një zënkë mes lojtarëve, pasi gjyqtari e sinjalizoi fundin e ndeshjes.

E përveç zënkës në fushën e lojës, ai gol i Maupay shkaktoi huti edhe për dy tifozët e Arsenalit, Troopz dhe DT, të cilën s’mund ta besonin çfarë ndodhi. DT menjëherë ngrihet nga ulësja e tij dhe shan, duke e lënë të befasuar Troopz, i  cili përsërit vazhdimisht: “Po gënjen, nuk kanë shënuar”.

-->