Këta dy lojtarë priten të zbarkojnë në Milano javën e ardhshme

Futboll 24 Korrik 2021 10:55

Jo vetëm Kaio Jorge për sulmin, Milani tenton edhe yllin e Atalantës.

Kaio Jorge është objektivi i Milanit për majën e sulmit. Kuqezinjtë kanë arritur akordin me sulmuesin 19-vjeçar, teksa po punohet për të siguruar marrëveshjen me Santos. Operacioni pritet të mbyllet për shumën e 4-5 milion eurove.

Kuqezinjtë nuk ndalen me kaq dhe po tentojnë një tjetër lojtar ofensiv. Në orbitën e Milanit është rikthyer Josip Ilicic (93 gola në Serie A), emri i të cilit është lidhur edhe më parë me nënkampionët e Italisë.

33-vjeçari ka edhe një vit kontratë me Atalantën, që kërkon 5-6 milion euro për ta lënë të lirë. Corriere di Bergamo shkruan se slloveni është entuziast për kalimin tek ekipi i Stefano Piolit, me drejtuesit e “Djallit” që pritet t’i ofrojnë një kontratë 2-vjeçare.

Dyshja Maldini-Massara, të cilët po punojnë edhe për zgjatjen e huazimit të Diogo Dalot nga United, po monitorojnë situatën. Së shpejti do të vijë oferta e parë për Atalantën, me Ilicic që shpreson të konkretizohet kalimi në Milanon kuqezi.

-->