Këta janë kosovarët që e përfunduan maratonën e Nju Jorkut

Atletikë 04 Nëntor 2019 13:00

Maratona e Nju Jorkut është një nga dy ngjarjet e këtij lloji që mbahen në Amerikë dhe që kanë famë botërore, bashkë me maratonën e Bostonit.

Sivjet kjo maratonë ka qenë e veçantë meqë shënoi 50 vjetorin e organizimit duke bërë që Nju Jorku të shndërrohet në pikë fokusi për atletikë në nivel global.

Në këtë ngjarje botërore, nuk munguan as përfaqësuesit kosovarë, madje tre prej tyre, shkruan Insporti. Arineta Mula, kësaj radhe ndërroi bjeshkët dhe majat e Himalajeve, për asfaltin nju jorkez dhe dëshmoi edhe një herë qëndrueshmërinë e saj fizike dhe mentale duke e përfunduar këtë garë me sukses.

Partnerja e Arinetës në shumë vrapime në Kosovë dhe pjesë e ekipit KTRA, Elida Lawton O’Connel, po ashtu e përfundoi këtë garë, kurse në konkurrencën e meshkujve Kosova po ashtu pati finisherë.

View this post on Instagram

@nycmarathon foto #finishers

A post shared by 𝐀𝐑𝐈𝐍𝐄𝐓𝐀 (@arinetamula) on

Shkumbin Cena e përfundoi këtë garë për 4 orë e 1 minutë dhe nga një hulumtim i shkurtër i redaksisë së Insportit nëpër rezultate del se ka qenë më i suksesshmi ndër kosovarët në këtë garë.

Rasim Mrlaku dhe Uragan Alija, ngjashëm me Arineta Mulën, i ndërruan bjeshkët për asfalt, bënë një shkëputje nga obligimet në bizneset e tyre dhe arritën ta përfundojnë me sukses këtë garë, kurse në listën e kosovarëve që e kaluan finishin gjendet edhe Arten Bajrushi, po ashtu vrapues me përvojë tashmë në disiplinën e maratonës si dhe Burim Leci, Luan Ajeti e Adnan Bislimi.

Përndryshe, garën në konkurrencën e femrave e ka fituar atletja nga Kenia Joyciline Jepkosgei, e cila befasoi të gjithë meqë kjo ishte hera e parë që po merrte pjesë në këtë garë, kurse bashkëkombasi i saj Geoffrey Kamworor e fitoi garën në konkurrencën e meshkujve.

Në maratonën e Nju Jorkut sivjet kanë marrë pjesë mbi 50 mijë vrapues, raporton Insporti duke u bazuar në shifrat zyrtare të organizatorëve.