“Këto janë gjasat e Kosovës ndaj Maqedonisë Veriore, kujdes nga ky futbollist”

Kombëtarja 09 Prill 2019 19:17

Trajneri i KF Dritës, Ardian Nuhiu, është shprehur se ndeshja ndërmjet Përfaqësueses së Kosovës dhe Kombëtares së Maqedonisë Veriore do të jetë shumë interesante.

Nuhiu është nga qyteti i Shkupit dhe njeh mjaft mirë kombëtaren maqedone, për të cilën ka thënë se është duke kaluar momente të mira.

Kosova dhe Maqedonia do të përballen në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve në mars të vitit të ardhshëm në rast se nuk kryejnë punë në eliminatoret e Kampionatit Evropian “Euro 2020”.

Në një intervistë për LajmTV, Nuhiu ka thënë se të dyja Përfaqësueset i sheh me gjasa të barabarta.

“Janë dy Përfaqësuese, të cilat po luajnë shumë mirë. Kosova ka marrë rezultate të mira nën drejtimin e trajnerit Challandes. Ka futbollistë të mirë brenda grupit dhe po vazhdojnë të rriten, e njëjta vlen edhe për Maqedoninë”, u shpreh fillimisht Ardian Nuhiu.

Tutje, Nuhiu ka përmendur mungesën e mundshme të Goran Pandev, i cili mund të tërhiqet shumë shpejt nga Përfaqësuesja maqedone. Ai ka folur dhe për formën e lartë të Milot Rashicës, i cili po shkëlqen në kampionatin gjerman me Ëerder Bremen.

“Te Maqedonia do të ishte hendikep nëse tërhiqet Pandev, sepse do të luanin pa liderin e tyre, por mbetet të shihet nëse ai do të vazhdojë. Nëse Pandev luan, do të jetë një sfidë tejet e vështirë dhe interesante. Te Kosova ka lojtarë të mirë, si Milot Rashica, i cili po shkëlqen ndeshje pas ndeshje në Gjermani”, vlerësoi Ardian Nuhiu. /Insporti.com/

-->